Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

‘Abdu’l-Bahá-i

Në kohën që Bahá’u’lláh-u ndërroi jetë, më 1892, në botë kishte ndoshta 50.000 Bahá’í. Besimi ishte përhapur në shumicën e vendeve e të territoreve të Lindjes së Mesme dhe të nënkontinentit Indian. Megjithatë, në Evropë, në Amerikë, në Afrikën sub-Sahariane, në Australazi dhe në pjesën më të madhe të Azisë, Bahá’u’lláh-u dhe mësimet e Tij ishin të panjohur.

Sot, Besimi Bahá’í është feja e pavarur më e përhapur gjeografikisht pas Krishtërimit, me komunitete në të paktën 205 vende e territore të varura kryesore. Në botë ka më tepër se pesë milionë Bahá’í, një rritje njëqindfish në 100 vjet.

Historia e kësaj rritjeje e shtrirjeje është e lidhur ngushtë me dy figura kryesore në Besimin Bahá’í: ‘Abdu’l-Bahá-in dhe Shoghi Effendi-un, që e kryesuan Besimin njëri pas tjetrit pas vdekjes së Bahá’u’lláh-ut më 1892.

Siç është vënë në dukje në rubrikën e mëparshme, qeverisja e Besimit Bahá’í është në duart e organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Arritja e qëllimit të Bahá’u’lláh-ut, në këtë drejtim, është bërë me punën e këtyre dy prijësave trashëgimtarë. Roli që ata kanë luajtur në ruajtjen e unitetit thelbësor të Besimit Bahá’í nuk ka shoq në historinë fetare.

Çështja e trashëgimisë fetare ka qenë vendimtare në të gjitha Besimet. Moszgjidhja e kësaj çështjeje ka çuar në mënyrë të pashmangshme në përçarje të vazhdueshme. Sot ka më shumë se 2.000 sekte të Krishtërimit, 1.000 ose më shumë në Islamin dhe fraksione të ngjashme në Hinduizmin, Budizmin dhe Judaizmin. Shumë prej këtyre sekteve lindën për shkak të mosmarrëveshjeve për çështjen se cili kishte në analizë të fundit autoritetin për interpretimin e vargjeve të shenjta.

Bahá’u’lláh-u u doli përpara përçarjeve në besimin Bahá’í, nëpërmjet një mjeti në dukje të thjeshtë: një testamenti. Në atë testament, Bahá’u’lláh-u jo vetëm caktoi djalin e tij të madh për ta zëvendësuar, por i kaloi Atij kompetencë të qartë për të interpretuar shkrimet e Tij dhe për të qenë strumbullari i bashkimit të komunitetit.

‘Abdu’l-Bahá-i: Mjeshtri

Në retrospektivë, del qartë se qysh në fillim Bahá’u’lláh-u e kishte përgatitur me kujdes ‘Abdu’l-Bahá-in për ta zëvendësuar. Ky lindi më 23 maj 1844, pikërisht natën e deklarimit të Báb-it. Si fëmijë, ai vuajti së bashku me Atin e Tij gjatë kohës së persekutimeve të para kundër besimtarëve Bábí.

‘Abdu’l-Bahá-i ishte tetë vjeç kur Bahá’u’lláh-un e hodhën në burg. Ai e vizitoi Atë dhe i pa qaforen e hekurt e zinxhirët rreth qafës së Atit të Tij.

Kur u rrit, ‘Abdu’l-Bahá-i u bë shoku më i ngushtë i Atit të Tij dhe kryente për Të shumë detyra të rëndësishme. Ai, për shembull, bisedonte paraprakisht me vizitorët e shumtë që vinin për të takuar Atin e Tij dhe e mbronte Atë nga pengesat e kota ose keqdashëse në punën e Tij.

Në Akka, kur pothuajse tërë grupi i Bahá’í-ve atje u sëmur nga tifoja, malarja e dizanteria, ‘Abdu’l-Bahá-i lante, përkujdesej dhe ushqente pacientët, pa pushuar fare për Vete. Më në fund, i rraskapitur, Ai u sëmur edhe Vetë dhe ndodhej në gjendje kritike për afro një muaj.

Këto cilësi të vetmohimit, të erudicionit e të përulësisë së madhe, krahas admirimit të dukshëm të vetë Bahá’u’lláh-ut për Të, shpejt merituan për ‘Abdu’l-Bahá-in titullin e “Mjeshtrit”. Ky është një term që ende përdoret sot nga Bahá’í-të kur i referohen ‘Abdu’l-Bahá-it.

Me gjithë kushtet e qarta të vullnetit e të testamentit të Bahá’u’lláh-ut, disa të afërm ziliqarë u përpoqën të uzurponin pozitën e ‘Abdu’l-Bahá-it pas vdekjes së Bahá’u’lláh-ut. Përpjekje të përsëritura u bënë nga këta individë ambiciozë për të formuar një rrymë të tyren.

Eshtë kuptimplotë, duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të përçarjeve në fetë e tjera botërore, që asnjë prej grupeve disidente nuk ka qenë në gjendje të mbahej vetë ose të krijonte një ndarje në Besimin Bahá’í. Më në fund, çdo grup është shpërbërë me vdekjen e udhëheqësit që ishte përpjekur ta ngrinte atë dhe asnjë sekt ose emërtim nuk ka mbijetuar. Bahá’í-të ia atribuojnë këtë unitet fuqisë së “Besëlidhjes”.

‘Abdu’l-Bahá-i gjithashtu ka luajtur një rol kyç në shpjegimin e vizionit botëpërfshirës të Atit të tij me terma që mund t’i kuptonte bota Perëndimore, arritje kjo që ka shpejtuar shumë shndërrimin e Besimit Bahá’í nga një lëvizje e vogël e Lindjes së Mesme në një fe mbarëbotërore, siç është sot.

Pas vdekjes së Atit të Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i mbeti i burgosur i Perandorisë Otomane. Me anë letrash dhe përmes kontaktesh të drejtpërdrejta me besimtarë të hershëm Perëndimorë që udhëtonin në Palestinë, Ai udhëhoqi përhapjen e Besimit tej Lindjes së Mesme.

Pas revolucionit të Xhon­turqve, ‘Abdu’l-Bahá-i u la i lirë të udhëtonte. Në gusht 1911, Ai u largua nga Toka e Shenjtë për një vizitë katërmujore në botën Perëndimore, duke qëndruar në Londër e Paris. Atje u takua me besimtarë të hershëm Perëndimorë dhe zhvilloi biseda të përditshme për Besimin Bahá’í e parimet e tij.

Pranverën tjetër, ‘Abdu’l-Bahá-i nisi një turne njëvjeçar, përsëri në Evropë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara e në Kanada. Vizita stimuloi shumë përhapjen e Besimit Bahá’í në këto dy vende.

Gjatë vizitave në më shumë se 40 qytete në Amerikën e Veriut, Ai u përshëndet me respekt e entusiazëm nga besimtarët dhe po kështu nga jobesimtarë. Qytet pas qyteti, ai u ftua të fliste në kisha e sinagoga, si dhe para grupesh e organizatash të shquara.

Rezultati i qartë ishte ngritja e Besimit Bahá’í si një forcë e re e rëndësishme për reforma shoqërore e për ripërtëritje fetare. Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut - me thirrjen e tij të fuqishme për një shoqëri njerëzore të re e paqësore - u shpall në botën e industrializuar, dhe një gjeneratë e re besimtarësh të vendosur u shtua.

‘Abdu’l-Bahá-i hartoi një plan, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, për ndërkombëtarëzimin e Besimit. Në një seri letrash për besimtarët në Amerikën e Veriut, Ai u kërkonte atyre të shpërndaheshin anembanë botës për të shpallur Besimin Bahá’í dhe parimet e tij.

Me shpërthimin e Luftës I Botërore ‘Abdu’l-Bahá-i u kthye në Tokën e Shenjtë. Në fjalimet e Tij në Perëndim Ai kishte paralajmëruar për konflagracionin që po afrohej dhe kishte folur pareshtur për nevojën e krijimit të ndonjë forme konfederate botërore që do të mund ta parandalonte një luftë të tillë.

Gjatë luftës, ‘Abdu’l-Bahá-i e kaloi kohën duke vepruar sipas parimeve që Ai dhe Ati i Tij kishin predikuar. Ai organizoi personalisht, për shembull, një projekt të gjerë bujqësor pranë Tiberias, i cili siguroi një burim të rëndësishëm gruri për krahinën dhe ndihmoi për të shmangur zinë e bukës në atë zonë. ‘Abdu’l-Bahá-it iu dha titulli i Kalorësit nga Qeveria Britanike pas luftës.

Më 28 nëntor 1921, ‘Abdu’l-Bahá-i ndërroi jetë qetësisht në gjumë.1 Mijëra njerëz të besimeve, kombësive e shtresave të ndryshme morën pjesë në funeralin e Tij, për t'i dhënë lamtumirën e fundit Atij që kishte qenë frymëzuesi, ngushëlluesi dhe gëzimi i jetëve të tyre.

Megjithëse vdekja e ‘Abdu’l-Bahá-it shënoi një humbje të thellë për besimtarët Bahá'í, një epokë e re do niste, nën drejtimin dhe udhëheqjen e Shoghi Effendi-ut, i përcaktuar në Vullnetin dhe Testamentin e ‘Abdu’l-Bahá-it si Ruajtësi i Besimit.

 

_____________________________________________

1. Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

_____________________________________________

 

*******************

Portret i ‘Abdu’l-Bahá-it

‘Abdu’l-Bahá

djali i madh i Bahá’u’lláh-ut dhe i përcaktuar në testamentin e Tij si Qendra e Besëlidhjes.

 

Një portret i ‘Abdu’l-Bahá-it

- Prof. Eduard G. Brauni [Edward G. Browne], një studius i Kembrixhit, që e takoi për herë të parë ‘Abdu’l-Bahá-in më 1890 dhe e njohu mirë Atë, ka shkruajtur:

“Rrallë kam parë unë njeri, paraqitja e të cilit të më ketë bërë më shumë përshtypje. Një burrë i gjatë, me trup të lidhur e të drejtë si selvi, me një turban e veshje të bardhë, me flokë të zinj e të gjatë që i binin gati mbi supe, me ballë të gjerë që dëshmonte për një mendje të fuqishme, të kombinuar me një vullnet të patundur, me sy të mprehtë si të skifterit, me tipare të theksuara por të këndëshme të fytyrës—e tillë ishte përshtypja ime e parë për Abaz Efendinë [‘Abbás Effendi], “Mjeshtrin”, siç e thërresin atë me të drejtë... Do të mendoja se edhe midis racës elokuente, të shkathët e të mprehtë, së cilës ai i përket, vështirë se mund të gjendet një njeri më elokuent, më hazër xhevap, më i përshtatshëm për të sqaruar, më i njohur nga afër me librat e shenjta të hebrenjve, të të krishterëve e të muhamedanëve. Këto veti, të kombinuara me një pamje në të njëjtën kohë madhështore e gjeniale, më bënë të mos çuditesha më për ndikimin dhe respektin që ai gëzonte edhe jashtë rrethit të pasuesve të atit të tij. Askush nga ata që e kanë takuar këtë njeri nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi për madhështinë dhe forcën e tij.”

 

 

‘Abdu’l-Bahá-i i ri

‘Abdu’l-Bahá i ri

 

‘Abdu’l-Bahá mes një grupi besimtarësh në Evropë

 

Besëlidhja

Bahá’í-të besojnë se uniteti që shquan Besimin Bahá’í rrjedh nga një premtim i Perëndisë për njerëzimin, që e siguron këtë se Ai do të vazhdojë ta udhë­heqë pas vdekjes së Bahá’u’lláh-ut. Ky premtim është quajtur Besëlidhja. Ideja e një besëlidhjeje midis njeriut e Perëndisë është, sigurisht, e njohur për pasuesit e shumë feve. Shumë hebrenj e kuptojnë që Perëndia hyri në besëlidhje me ta, duke u prem­tuar t’i udhëhiqte për sa kohë ata do t’u bindeshin ligjeve të Tij. Shumë të krishterë, gjithashtu, e kuptojnë se Jesui hyri në një besëlidhje të re me pasuesit e Vet. Për Bahá’í-të Besëlidhja e bërë nga Bahá’u’lláh-u është edhe ripërtëritje e premtimit për udhërrëfim Hyjnor, edhe një sistem që siguron vazhdimësinë e tij. Në mënyrë të veçantë, Besëlidhja mund të merret si sinonime me linjën e vazhdimësisë që përshkruhet në Vullnetin e Testamentin e Bahá’u’lláh-ut. Kjo linjë shkon nga Bahá’u’lláh-u tek djali i Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i, dhe pastaj nga ‘Abdu’l-Bahá-i te nipi i Tij, Shoghi Effendi-u, e te Shtëpia Universale e Drejtësisë. T’i qëndrosh besnik Besëlidhjes së Bahá’u’lláh-ut do të thotë t’i bindesh Atij si Lajmëtar i Perëndisë. Kjo do të thotë të pranosh autoritetin e pasuesve të caktuar prej Tij dhe të aderosh në rregullimet që ka bërë Ai për të çuar përpara Besimin e Vet. Të thyesh Besëlidhjen do të thotë të hedhësh poshtë ose të përpiqesh me paramendim të uzurposh ose të sabotosh autoritetin që ka vendosur Bahá’u’lláh-u, ndërkohë që ende pretendon të jesh një Bahá’í. Një veprim i tillë përbën një sulm kundër unitetit, që është karakteristika dalluese e Besimit. Cilido që i përmbahet në mënyrë këmbëngulëse një sjelljeje të tillë bëhet i njohur si shkelës i Besëlidhjes, prandaj atij i mohohet hyrja në komunitetin Bahá’í. Një person i tillë mund të arrijë të ripranohet vetëm përmes pendimit të sinqertë.Të meta të tilla morale, si moskonformimi me standardet Bahá’í, nuk janë thyerje e Besëlidhjes.

 

 

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“... Jini baballarë të dashur për jetimët, strehë për të pafuqishmit, thesar për të varfrit dhe ilaç për të sëmurët. Jeni ndihmues për çdo viktimë të shtypjes dhe mbrojtës për të dëmtuarit. Mendoni gjatë gjithë kohës për t’i bërë shërbim çdo pjesëtari të racës njerëzore. Mos pyesni fare për mosdashjen dhe kundërshtimin, për neverinë, armiqësinë e padrejtësinë: veproni në të kundërt të tyre. Jeni të sinqertë me shpirt e jo vetëm në dukje....”

- 'Abdu'l - Bahá -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014