Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Báb-i

Lëvizja Bábí, pararendëse e Besimit Bahá’í

Fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte një periudhë pritjeje mesianike në shumë vende. Të shqetësuar thellësisht nga arritjet e kërkimeve shkencore dhe nga industrializimi, besimtarë të zellshëm me prejardhje fetare të larmishme iu kthyen shkrimeve të besimeve të tyre për të kuptuar proceset e përshpejtuara të ndryshimit.

Në Evropë e në Amerikë, grupe të tilla si Tempullarët dhe pasuesit e U. Milerit besonin se kishin gjetur në shkrimet kristiane prova që mbështetnin bindjen e tyre se historia kishte marrë fund dhe se kthimi i Jesu Krishtit ishte i afërt. Një frymë mjaft e ngjashme u zhvillua në Lindjen e Mesme lidhur me besimin se përmbushja e profecive të ndryshme në Kuran e në Hadithet (gojëdhënat) islamike ishte e afërt.

Më spektakularet midis këtyre lëvizjeve mijëvjeçariste u dukën në Iran. Ato u përqëndruan në personin dhe mësimet e një tregtari të ri nga qyteti i Shirazit, i njohur në histori si Báb-i. Nga 1844 deri më 1863, persianë të të gjitha klasave u rrëmbyen nga një stuhi shprese dhe emocionesh, që ngjalli njoftimi i Báb-it se Dita e Perëndisë ishte afër dhe se Ai Vetë ishte i Premtuari i shkrimeve islamike. Njerëzimi, tha Ai, ndodhet në pragun e një epoke që do të shohë ristrukturimin e të gjitha aspekteve të jetës.

Në disa drejtime, roli i Báb-it mund të krahasohet me atë të Gjon Pagëzorit në themelimin e Krishtërimit. Báb-i ishte lajmëtari i Bahá’u’lláh-ut: misioni i Tij parësor ishte të përgatiste rrugën për ardhjen e Bahá’u’lláh-ut. Prandaj themelimi i Besimit Bábí konsiderohet prej Bahá’í-ve si sinonim i themelimit të Besimit Bahá’í - dhe objektivi i tij u përmbush kur Bahá’u’lláh-u shpalli më 1863 se Ai ishte i Premtuari i parathënë prej Báb-it.

Një fe e pavarur

Por, në të njëjtën kohë, Báb-i themeloi një fe të Vetën të veçantë, të pavarur. I njohur si Besimi Bábí, ky dispensacion fetar çoi në lindjen e komunitetit të vet të fuqishëm, kishte shkrimet e veta dhe la gjurmën e tij të pashlyeshme në histori.

Besimi Bábí është themeluar më 23 maj 1844, kur një tregtar 25-vjeçar shpalli në qytetin iranian të Shirazit se Ai ishte Kaimi [Qa’im] i premtuar i Islamit, “Ai Që do të ngrihet”. Edhe pse tregtari i ri e kishte emrin Sijid Ali Muhamet [Siyyid ‘Ali Muhammad], Ai mori emrin “Báb”, një titull që në arabisht do të thotë “Portë” apo “Derë” . Ardhja e Tij, siç e ka shpjeguar Báb-i, përfaqësonte derën nëpërmjet së cilës do të shfaqej së shpejti Lajmëtari universal i Perëndisë, që pritej nga gjithë njerëzimi.

Kronikat tregojnë se Báb-i ishte një fëmijë i jashtzakonshëm. I lindur më 20 tetor 1819, Ai zotëronte një mençuri e fisnikëri të habitshme, të ngjashme me atë të Jesuit të ri. Kur arriti pjekurinë, Báb-i u bashkua me xhaxhain e tij në punët e familjes, një shtëpi tregtare. Ndershmëria dhe devotshmëria e Tij fituan respektin e tregtarëve të tjerë me të cilët hyri në lidhje. Ai ishte, gjithashtu, i njohur për bujarinë e Tij ndaj të varfërve.

Pas shpalljes së Tij, Báb-i tërhoqi me shpejtësi pasues dhe lëvizja e re fetare u përhap anembanë Iranit si një zjarr i furishëm. Kjo rritje ngjalli kundërshtim e përndjekje - veçanërisht nga ana e autoriteteve fetare, të cilat shihnin një kërcënim për pushtetin e prestigjin e tyre. Në rrjedhën e kësaj përndjekjeje, Báb-i u burgos disa herë.

Vepra e tij kryesore, Bajani [Bayán], shfuqizoi disa ligje myslimane dhe i zëvendësoi ato me të reja. Bajani e vinte theksin te një nivel i lartë moral, duke nënvizuar në mënyrë të veçantë dëlirësinë e zemrës e të qëllimit. Ai gjithashtu përkrahte të drejtat e grave e të të varfërve dhe mbështeste zhvillimin e arsimit e të shkencave të dobishme.

Tema qendrore e Bajanit ishte ardhja e shpejtë e një Lajmëtari të dytë nga Perëndia, e Atij që do të ishte shumë më i madh se Báb-i dhe misioni i të Cilit do të kishte si synim të shpallte epokën e paqes e të bollëkut, që ishte premtuar prej kohësh në Islamin, si dhe në Judaizmin, në Krishtërimin dhe në të gjitha fetë e tjera botërore.

Përndjekja dhe ekzekutimi

Zemrat dhe mendjet e atyre që dëgjuan mesazhin e Báb-it ishin të mbyllura në një botë mendore, e cila kishte ndryshuar fare pak që nga koha e Mesjetës. Kështu, duke shpallur një fe krejt të re, Báb-i mundi t’i ndihmonte pasuesit e Tij të çliroheshin tërësisht nga skema islamike dhe t’i mobilizonte ata të përgatiteshin për ardhjen e Bahá’u’lláh-ut.

Guximi i këtij deklarimi, që dha vizionin e një shoqërie krejt të re, ngjalli një frikë të madhe në institucionet fetare e laike. Për rrjedhojë, u zhvillua me të shpejtë përndjekja e Bábí-ve. Ata që i kundërviheshin Báb-it thonin në thelb se Ai jo vetëm ishte heretik, por edhe një rebel i rrezikshëm. Autoritet vendosën ta ekzekutonin Atë.

Më 9 Korrik 1850, ky dënim u vu në zbatim në sheshin e kazermave të ushtrisë në Tabriz. Rreth 10.000 veta kishin mbushur çatitë e kazermave e të shtëpive, nga mund të shihej sheshi. Báb-in dhe një pasues të ri i varën pas një muri me dy litarë. Një regjiment prej 750 ushtarësh armenë, i renditur në tre rrjeshta me 250 ushtarë secili, hapi zjarr me tre batare të njëpasnjëshme. Kaq i dendur ishte tymi i barotit e pluhuri që u ngrit sa qielli u errësua dhe tërë sheshi u bë mjegull.

Siç shkruhet në një kronikë të ruajtur në Ministrinë e Jashtme Britanike, Báb-i nuk shihej kur u largua tymi. Shoku i tij qëndronte pa asnjë plagë e i paprekur nga plumbat. Litarët me të cilët ishin varur ai dhe Báb’i qenë bërë copë-copë.

Báb-i u gjend përsëri në qelinë e Tij, duke i dhënë porositë e fundit njërit prej pasuesve të Tij. Më parë gjatë asaj dite, kur rojet shkuan për ta çuar Atë në vendin e ekzekutimit, Báb-i i kishte paralajmëruar se asnjë “fuqi tokësore” nuk mund ta bënte Atë të heshtë gjersa Ai të mbaronte të gjitha ato që kishte për të thënë. Kështu, kur rojet erdhën për herë të dytë, Báb-i u tha qetësisht: “Tani ju mund të vazhdoni të përmbushni qëllimin tuaj.”

Báb-in dhe shokun e Tij të ri i çuan për herë të dytë për t’i ekzekutuar. Trupat armene refuzuan të qëllonin sërish dhe u soll një repart pushkatimi mysliman, i cili u urdhërua të qëllonte. Këtë herë trupat e të dyve u bënë shoshë, eshtrat dhe mishi i tyre u përzien në një masë të vetme. Por për habi, fytyrat e tyre ishin të paprekura. 1

Báb-i e kishte profetizuar martirizimin e Tij dhe sakrifica që Ai bëri, siç ishte paracaktuar nga i Gjithëfuqishmi, do të jepte menjëherë frytet e saj, kur fatet e Besimit të Tij, do të ripërtëriheshin e të përjetësoheshin me ardhjen e të Shumëdashurit të zemrës së Tij dhe të Premtuarit të të gjitha kohëve, Bahá’u’lláh-ut.

 

_____________________________________________

1 Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

_____________________________________________

 

*******************

 

Mauzoleu i Báb-it

Mauzoleu i Báb-it

Eshtrat e Báb-it janë varrosur nën këtë mauzole, i ngritur në shpatin e Malit Karmel në Haifa, Izrael. Mauzoleu i Báb-it është njëri prej vendeve më të shenjta të Botës Bahá’í.

 

 

 

“Unë jam Pika Parësore nga e cila kanë lindur të gjitha gjërat e krijuara… Unë jam Shëmbëlltyra e Perëndisë, shkëlqimi i së cilës nuk mund të errësohet kurrë, drita e Perëndisë rrezatimi i së cilës nuk mund të venitet asnjëherë… Të gjithë çelsat e qiellit Perëndia ka dashur t’i vendosë në dorën Time të djathtë, ndërsa të gjithë çelsat e ferrit në dorën Time të majtë… Unë jam njëra prej shtyllave mbajtëse të Fjalës Parësore të Perëndisë. Kushdo që më ka njohur Mua, ka njohur gjithçka është e vërtetë dhe e drejtë, dhe ka arritur gjithçka është e mirë dhe e hijshme… Substanca me të cilën Perëndia më ka krijuar Mua nuk është argjila prej së cilës janë krijuar të tjerët. Ai më ka dhënë Mua atë që të urtët e botës kurrë nuk mund ta kuptojnë, dhe as besmikët nuk mund ta zbulojnë”.

- Báb

Dhoma në shtëpinë ei Báb-it në Shiraz, Iran, ku Ai shpalli misionin e Tij.

 

Duke dashur të madhërojë e lavdërojë Bahá’u’lláh-un dhe Kauzën e Tij, Báb-i dëshmon:

"Kur Ylli i Ditës i Bahá-it do të ndritë me shkëlqim mbi horizontin e përjetësisë, është detyra juaj të paraqiteni përpara Fronit të Tij… Të gjithë ju jeni sjellë në jetë për të kërkuar praninë e Tij dhe për ta arritur atë pozitë të lartësuar e të lavdishme. Me të vërtetë, Ai do të dërgojë nga qielli i mëshirës së Tij atë që do t’ju sjellë përfitim, dhe çdo gjë që jepet hirësisht prej Tij do t’ju japë mundësi të bëni pa gjithë njerëzimin… Me të vërtetë, nëse është Vullneti i Tij, Ai me siguri mund të ringjallë të gjitha gjërat e krijuara, me anë të një fjale nga Vetja e Tij. Ai, në fakt, qëndron më lart e mbi të gjitha këto, Ai është i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëfuqishmi, Fuqiploti".

- Báb

Pamje natën e mauzoleut mbi shpatet e Malit Karmel, Haifa, Izrael

 

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Mos u bëni merak për dobësinë e brishtësinë tuaj; mbërthejini sytë te fuqia e pathyeshme e Zotit, Perëndisë suaj, të Gjithëfuqishmit. A nuk bëri Ai në të kaluarën që Abrahami, megjithëse i pafuqishëm në dukje, të triumfonte mbi forcat e Nimrodit? A nuk e bëri Ai të aftë Moj­siun që, duke pasur për shok vetëm një shkop, të mposhtëte Faraonin dhe hordhitë e tij? A nuk vendosi Ai ngritjen e Jezuit, të varfër e të përunjur siç ishte Ai në sytë e njerëzve, mbi forcat e bashkuara të çifu­tëve? A nuk ia nënshtroi Ai fiset barbare e zemërake të Arabisë disiplinës së shenjtë e transformuese të Muhametit, profetit të Tij? Ngrihuni në emër të Tij, mbështeteni krejtësisht besimin tek Ai dhe të jeni të sigurtë për fitoren perfundimtare”.

- Báb -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014