Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Bahá’u’lláh-u

Në mesin e shekullit të 19-të, një prej burgjeve më të njohura në Lindjen e Afërme ishte “Pusi i Zi” i Teheranit. Dikur rezervuar nën­tokësor i një banjoje publike, dalja e tij e vetme ishte një kalim i pjerrët me tre palë shkallë të gurta. Të burgosurit ngjisheshin midis fekaleve të veta, duke lënguar në zymtinë e errët të pusit, në të ftohtin nën­tokësor e në atmosferën erëqelbur.

Në këtë mjedis të zymtë, u luajt edhe një herë akoma më e rralla e më e shumëpritura e ngjarjeve fetare: një njeri i vdekshëm, njëlloj si të tjerët në pamjen e jashtme, u thirr nga Perëndia për t’i sjellë njerëzimit një revelacion të ri fetar.

Ishte viti 1852, dhe ky njeri ishte një fisnik persian, i njohur sot me emrin Bahá’u’lláh. Gjatë burgimit të Tij, ndërsa qëndronte me këmbët në pranga e me një zinxhir të hekurt 50-kilogramësh rreth qafës, Bahá’u’lláh-u përjetoi në Qënien e Tij vizionin e planit të Perëndisë për njerëzimin.

Ngjarja është e krahasueshme me ato momente të tjera të mëdha të së kaluarës së lashtë, kur Perëndia ua ka reveluar Vetveten Lajmëtarëve të Tij të hershëm: kur Moisiu qëndronte para Drizës së Përflakur; kur Buda pati revelacionin nën pemën Bodi [Bodhi]; kur Shpirti i Shenjtë, në formën e një pëllumbi, zbriti mbi Jesuin; ose kur kryeengjëlli Gavril iu shfaq Muhametit.

Ndodhia e Bahá’u’lláh-ut në Pusin e Zi i dha rrugë një procesi të revelacionit fetar, i cili, në 40 vjetët e mëpasme, çoi në shkruarjen e mijëra librave, tabelave e letrave - që përbëjnë sot thelbin e shkrimeve të shenjta të Besimit Bahá’í. Në ato shkrime, Ai ka ravijëzuar një kuadër për rindërtimin e shoqërisë njerëzore në të gjitha nivelet: shpirtëror, moral, ekonomik, politik e filozofik.

Në të kaluarën, Lajmëtarët e Perëndisë, në më të shumtën e rasteve, i kanë paraqitur mesazhet e tyre për njerëzimin duke folur ose predikuar; këto ligjërata janë treguar nga të tjerë, ndonjëherë gjatë jetës së Profetit, ndonjëherë më pas, sipas kujtimeve të pasuesve të Tij. Ndërsa Themeluesi i Besimit Bahá’í mori Vetë pendë e letër dhe shkroi për njerëzimin revelacionin që pat marrë ose ua diktoi mesazhin e Tij besimtarëve që shërbenin si sekretarë.

Bahá’u’lláh-u ka trajtuar jo vetëm ato çështje të përhershme teologjike e filozofike që e kanë munduar njerëzimin qysh nga lashtësia - të tilla si Kush është Perëndia? Ç’është mirësia? Pse jemi ne këtu? - por edhe çështje që kanë preokupuar mendimtarë të shekullit të 20-të: Çfarë e motivon natyrën njerëzore? A është paqja reale vërtet e mundur? A kujdeset ende Perëndia për njerëzimin?

Nga fjalët e Tij komuniteti mbarëbotëror i Bahá’u’lláh-ut merr frymëzimin, zbulon sjelljen e vet morale dhe fiton energji krijuese.

Bahá’u’lláh-u, emri i të cilit në arabisht do të thotë “Lavdia e Perëndisë”, lindi më 12 nëntor 1817 në Teheran. Djalë i një ministri të pasur të qeverisë, Mirza Buzurg Nuriut [Mirzá Buzurg-i-Núri], emri që i vunë ishte Hysen Ali [Husayn-`Alí] dhe familja e Tij mund ta gjurmonte prejardhjen e vet gjer në dinastitë e mëdha të së kaluarës perandorake të Iranit. Bahá’u’lláh-u në rini jetoi një jetë princërore, duke marrë një edukim që përqëndrohej shumë në mjeshtrinë e rendjes me kalë, në përdorimin e shpatës, në kaligrafinë e në poezinë klasike.

Në Tetor 1835, Bahá’u’lláh-u u martua me Asije Hanëmin [Ásiyih Khánum], të bijën e një fisniku tjetër. Ata patën tre fëmijë: një djalë, ‘Abdu’l-Bahá-in, lindur më 1844; një vajzë, Bahijen [Bahiyyih], lindur më 1846; dhe një djalë Mehdiun [Mihdí], lindur më 1848.

Bahá’u’lláh-u refuzoi karrierën ministrore që iu hap Atij në qeveri, dhe në vend të kësaj vendosi t’ia kushtonte energjitë e Veta një vargu filantropish, të cilat, nga fillimi i dhjetëvjeçarit 1840-1850, e bënë Atë të njohur gjërësisht si “Ati i të Varfërve”. Kjo ekzistencë e privilegjuar mori fund shpejt pas 1844-ës, kur Bahá’u’lláh-u u bë një nga përkrahësit kryesorë të lëvizjes Bábí.

Pararendëse e Besimit Bahá’í, lëvizja Bábí përfshiu Iranin si një ciklon - dhe shkaktoi një persekutim intensiv nga autoritetet fetare. Pas ekzekutimit të Themeluesit të saj, Báb-it, Bahá’u’lláh-u u arrestua dhe u çua, i lidhur me zinxhirë e në këmbë, në Teheran. Anëtarë me influencë të gjykatës dhe kleri kërkuan dënimin me vdekje. Bahá’u’lláh-un, megjithatë, e mbrojtën reputacioni i Tij personal dhe pozita shoqërore e familjes së Tij, si dhe protestat e ambasadave Perëndimore.

Prandaj Atë e hodhën në famëkeqin “Pus të Zi”, në persisht Sijah Çal [Siyah-Chal]. Autoritetet shpresonin se kjo do të shkaktonte vdekjen e Tij. Në vend të kësaj, burgu u bë vendlindja e një revelacioni të ri fetar.

Bahá’u’lláh-u kaloi katër muaj në Pusin e Zi, kohë gjatë së cilës Ai e mendoi tërësisht misionin e Tij. “Unë isha një njeri si të tjerët, në gjumë mbi shtratin Tim, kur papritur flladet e Lavdiplotit frynë mbi Mua dhe Më mësuan dijen e çdo gjëje që ka qenë,” ka shkruar më vonë Ai. “Kjo gjë nuk është nga Unë, por nga Ai Që është i Gjithëfuqishmi e i Gjithëdijshmi. Dhe Ai më urdhëroi të ngre zërin Tim midis qiellit e tokës...”

Syrgjynosja

Pas lirimit, Bahá’u’lláh-un e dëbuan nga vendi i Tij i lindjes, ku filluan 40 vjet syrgjynosjeje, burgimi e përndjekjeje. Ai u dërgua fillimisht në Bagdadin fqinj. Pas rreth një viti, u largua për në zonën e shkretë malore të Kurdistanit, ku Ai jetoi krejt i vetmuar për dy vjet. E kaloi kohën duke medituar për gjithçka kishte të bënte me misionin që i ishte besuar. Kjo periudhë është e ngjashme me periudhat e veçimit të ndërmarra nga Themeluesit e Besimeve të tjera të mëdha botërore, të sjell ndërmend endjet e Budës, 40 ditët e netët e kaluara nga Krishti në shkretëtirë dhe tërheqjen e Muhametit në shpellën e Malit Hira.

Më 1856, me shtytjen e Bábí-ve të mërguar, Bahá’u’lláh-u u kthye në Bagdad. Nën udhëheqjen e Tij të përtërirë, gjendja e komunitetit Bábí u shëndosh dhe fama e Bahá’u’lláh-ut si prijës shpirtëror u përhap anembanë qytetit. Duke pasur frikë se mos popullariteti i Bahá’u’lláh-ut çonte në rishpërthimin e entusiazmit popullor për lëvizjen në Persi, qeveria e Shahut ia arriti t’i shtynte autoritetet otomane ta degdisnin Atë edhe më larg në internim.

Në Prill 1863, para se të linte Bagdadin, Bahá’u’lláh-u dhe shokët e Tij qëndruan në një kopsht në brigjet e Lumit Tigër. Nga 21 prilli deri më 2 maj, Bahá’u’lláh-u iu shfaq Bábí-ve që e shoqëronin se Ai ishte i Premtuari i profetizuar prej Báb-it - në të vërtetë i profetizuar në të gjitha shkrimet botërore.

Kopshti u bë i njohur si Kopshti i Ridvanit, që në arabisht nënkupton “parajsën”. Përvejtori i dymbëdhjetë ditëve të kaluara atje festohet nga Bahá’í-të e botës si e kremtja më e gëzuar, e njohur si Festa e Ridvanit.

Më 3 maj 1863, Bahá’u’lláh-u u nis nga Bagdadi për në Kostantinopojë (Stambolli i sotëm) , kryeqyteti perandorak, i shoqëruar nga familja e Tij e nga një numër shokësh të zgjedhur. Ai ishte bërë tepër popullor dhe një figurë e dashur. Dëshmitarë të pranishëm e kanë përshkuar nisjen me fjalë prekëse, duke vënë në dukje lotët e shumë të pranishmëve dhe nderimin që iu bë Atij nga autoritetet.

Pas katër muajsh në Kostantinopojë, Bahá’u’lláh-u u dërgua faktikisht si i burgosur shtetëror në Adrianopojë (Edreneja e sotme), dhe arriti atje më 12 dhjetor 1863. Gjatë pesë vjetëve që Ai kaloi atje, fama e Bahá’u’lláh-ut vazhdoi të rritej, duke ngjallur interesim të madh midis studiuesve, ofiqarëve qeveritarë e diplomatëve.

Duke filluar nga shtatori 1867, Bahá’u’lláh-u iu drejtua udhëheqësve botërorë të kohës së Vet, duke përfshirë midis të tjerëve Perandorit Napoleoni III, Mbretëreshës Viktoria, Kajzerit Wilhelmi I, Carit Aleksandri II i Rusisë, Perandorit Franc Jozef, Papës Piu IX, Sulltanit Abdul-Aziz dhe sundimtarit të Persisë Naser Din Shah [Nasirid-Din Shah].

Në këto letra, Bahá’u’lláh-u shpalli hapur pozitën e Tij. Ai flet për agimin e një epoke të re. Por në radhë të parë paralajmëronte se do të kishte përmbysje katastrofike në rendin politik e shoqëror të botës. Për një kalim të qetë të njerëzimit, Ai u bëri thirje udhëheqësve të botës të zbatojnë drejtësinë, thirrje për përpjekje të përgjithshme për çarmatim dhe i nxiti sundimtarët e botës të bashkohen në ndonjë formë konfederate të kombeve. Vetëm duke vepruar kolektivisht kundër luftës, thoshte Ai, mund të vendoset një paqe e qëndrueshme.

Trazirat e vazhdueshme të kundërshtarëve e shtynë Qeverinë Turke t’i dërgonte syrgjynët në Akra, një qytet burg në Palestinën Otomane. Akra ishte fundi i botës, destinacioni i fundit për vrasës nga më të këqinjtë, plaçkitës të rrugëve e kundërshtarë politikë. Një qytet i rrethuar me mure, me rrugë të ndyra e me shtëpi të lagështa, të shkretuara, Akra nuk kishte burim uji të freskët dhe ajri, sipas një thënieje popullore, ishte aq i qelbur sa edhe zogjtë që fluturonin mbi të binin të ngordhur nga qielli.

Në këtë mjedis Bahá’u’lláh-u dhe familja e Tij arritën në 31 gusht 1868, faza përfundimtare e syrgjynosjes së Tij të gjatë. Ai do ta kalonte pjesën tjetër të jetës së Tij, 24 vjet të tjera, në Akka e në rrethinat e saj. Të mbyllur fillimisht në një burg në kazermat, Bahá’u’lláh-u dhe shoqëruesit e Tij u çvendosën më pas në një shtëpi të ngushtë brenda mureve të qytetit. Syrgjynët, që shiheshin gjerësisht si heretikë të rrezikshëm, u ndeshën me armiqësinë e banorëve të tjerë të qytetit. Madje edhe fëmijët, kur guxonin të dilnin jashtë, ndiqeshin e goditeshin me gurë.

Por me kalimin e kohës, fryma e mësimeve të Bahá’u’lláh-ut depërtoi përmes këtij fanatizmi e kësaj indiference. Madje edhe disa prej guvernatorëve e klerikëve të qytetit, pasi i studiuan mësimet e Besimit, u bënë admirues të devotshëm. Ashtu si dhe në Bagdad e Adrianopojë, qëndrimi moral i Bahá’u’lláh-ut fitoi gradualisht respektin, admirimin, madje i dha Atij edhe udhëheqjen e komunitetit të gjerë.

Pikërisht në Akka Bahá’u’lláh-u shkroi veprën e Tij më të rëndësishme. E njohur zakonisht midis Bahá’í-ve me emrin arabik Kitábi Akdas [Kitáb-i-Aqdas] (Libri Më i Shenjtë), kjo vepër ravijëzon ligjet e parimet thelbësore që duhet të zbatojnë pasuesit e Tij dhe hedh themelet e administrimit Bahá’í.

Nga fundi i dhjetëvjeçarit 1870-1880, Bahá’u’lláh-u u la i lirë të lëvizte jashtë mureve të qytetit dhe pasuesit e Tij ishin në gjendje ta takonin Atë në qetësi e liri relative. Ai u vendos në një pallat të braktisur dhe ishte në gjendje t’i kushtohej më tej të shkruarit.

Më 29 maj 1892, Bahá’u’lláh-u u nda nga kjo jetë. Eshtrat e Tij u çuan për t’u prehur në një dhomë me kopsht pranë pallatit të restauruar, që njihet si Bahxhi. Për Bahá’í-të, ky është vendi më i shenjtë mbi tokë. 1

Ndërrimi jetë i Bahá’u’lláh-ut shkaktoi një humbje të thellë për besimtarët Bahá’í, por, nga ana tjetër, i gjithë shkëlqimi dhe lavdia e mësimeve të Tij do të përjetësoheshin me veprat e Birit të Tij fisnik e të madhërishëm, ‘Abdu’l-Bahá-it.

 

_____________________________________________

1 Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

_____________________________________________

 

*******************

Mauzoleu i Bahá’u’lláh-ut

Vendi më i shenjtë për Bahá’í-të. Ndodhet në Bahxhi, Akka, Izrael dhe shërben si vendprehja e eshtrave të Bahá’u’lláh-ut, duke qenë vend pelegrinazhi për besimtarët.

 

 

 

“Dhe meqenëse nuk mund të ketë lidhje të një komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë të vetmin Perëndi të vërtetë me krijesën e Tij, dhe se asnjëlloj ngjashmërie nuk mund të ekzistojë ndërmjet kalimtares e të Përjetshmes, të rastësishmes e Absolutes, Ai ka urdhëruar që në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i pastër e i panjollë së manifestohet në mbretëritë e tokës e të qiellit.”

- Bahá’u’lláh

 

 

Një studiues anglez takohet me Bahá’u’lláh-un

Më 1890, orientalisti i famshëm i Kembrixhit, Prof. Eduard G. Brauni [Edward G. Browne], takoi Bahá’u’lláh-un; ai është i vetmi perëndimor që e ka takuar Atë dhe që e ka lënë me shkrim këtë ngjarje. Brauni, që e vizitoi Bahá’u’lláh-un në shtëpinë e Tij në Bahxhi [Bahjí], e ka përshkruar kështu atë takim:

"S’do ta harroj kurrë fytyrën e atij që po admiroja, megjithëse nuk jam në gjendje ta përshkruaj. Ata sy depërtues dukej sikur të lexonin vetë shpirtin; balli i gjerë tregonte fuqi e autoritet.... S’ishte nevoja të pyesja në praninë e kujt ndodhesha, ndërsa përkulesha para atij që është objekt i një devocioni e dashurie të tillë, që mbretërit do ta kishin zili, ndërsa perandorët e aspirojnë më kot!

Një zë i ëmbël e plot dinjitet më ftoi të ulesha e pastaj vazhdoi:—“Lavdi Zotit që erdhe!... Ke ardhur të shohësh një të burgosur e një syrgjyn... Ne duam vetëm të mirën e botës dhe lumturinë e kombeve; e megjithatë na konsiderojnë nxitës konfliktesh e revoltash, që meritojmë burgim e syrgjynosje... Këto konflikte, kjo gjakderdhje e kjo përçarje duhet të marrin fund dhe të gjithë njerëzit duhet të jenë si një fis e një familje.... Le të mos lavdërohet njeriu se do vendin e vet, por të lavdërohet se do gjininë njerëzore.”

 

 

 

“Unë kurrë nuk kam aspiruar për udhëheqje tokësore. Qëllimi im i vetëm ka qenë t’u sjell njerëzve atë që Perëndia më urdhëroi t’u sillja...”

- Bahá’u’lláh

 

"I bekuar është shtegtari që ka njohur të Dëshiruarin, dhe kërkuesi që i ka vënë veshin Thirrjes së Atij Që është Qëllimi i mbarë njerëzimit, dhe i dituri që ka besuar te Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi".

- Bahá’u’lláh

 

Kopshti i Ridvanit në Akka, një remineshencë e Kopshtit të Ridvanit në Bagdad

"Qenia e Madhe, duke dashur të revelojë kushtet e domosdoshme të paqes e të qetësisë në botë dhe të përparimit të popujve të saj, ka shkruar: Do të vijë koha kur nevoja imperative për mbajtjen e një kuvendi të gjerë, gjithëpërfshirës të njerëzve do të kuptohet në shkallë universale. Sundimtarët dhe mbretërit e tokës duhet medoemos të jenë të pranishëm aty dhe, duke marrë pjesë në debatet e tij, të shqyrtojnë rrugë e mjete të tilla që të hedhin themelet e Paqes së Madhe botërore midis njerëzve. Një paqe e tillë kërkon që Fuqitë e Mëdha, për hir të qetësisë së popujve të tokës, të vendosin të pajtohen plotësisht midis tyre. Në qoftë se ndonjë mbret do të rrokte armët kundër një mbreti tjetër, të gjithë së bashku do të duhej të ngriheshin për ta parandaluar atë. Po të bëhet kjo, kombeve të botës nuk do t’u duhen më kurrfarë armatimesh, veç atyre që janë të nevojshme për të ruajtur sigurinë e mbretërive të veta dhe për të mbajtjur rendin e brendshëm në territoret e tyre. Kjo do të sigurojë paqen e qetësinë e çdo populli, qeverie e kombi. Duam të shpresojmë se mbretërit dhe sundimtarët e tokës, pasqyra të emrit të hirshëm e të gjithëfuqishëm të Perëndisë, mund ta arrijnë këtë shkallë dhe ta mbrojnë njerëzimin nga kasaphana e tiranisë".

- Bahá’u’lláh

Burgu i Akkës, ku Bahá’u’lláh-u u mbajt i burgosur për gati dy vjet

Shtëpia e Abuddit në Akka, Izrael, ku Bahá’u’lláh-u reveloi Librin më të Shenjtë

Porta veriore për në kopshtet rreth Mauzoleut të Bahá’u’lláh-ut.

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Bukuria e Lashtë pranoi të lidhet me pranga, që njerëzimi të shpëtojë nga zinxhirët e tij, dhe pranoi të burgosej brenda kësaj Fortesë kaq të fuqishme, që gjithë bota të arrijë lirinë e vërtetë. Ai e piu gjer në fund kupën e vuajtjeve, që gjithë njerëzit e botës të arrijnë gëzimin e përjetshëm dhe të mbushen me gaz. Kjo vjen nga mëshira e Zotit tuaj, e Zemërdhembshurit, Mëshirëplotit. Ne pranuam të poshtërohemi, O besimtarë në Unitetin e Perëndisë, që ju të lartësoheni, dhe kemi vuajtur hidhërime të shumëllojshme, që ju të begatoheni e të lulëzoni. Atë që erdhi për ta rindërtuar sërish gjithë botën, shikoni sesi ata që e krahasuan veten me Perëndinë e detyruan të jetojë në qytetin më të shkretuar!”.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014