Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Si i shikojnë Bahá'í-të fetë e tjera

Kur Bahá'í-të thonë se fetë e ndryshme janë një, ata nuk duan të thonë me këtë se bindjet dhe organizatat e ndryshme fetare janë të njëjta. Në të vërtetë, ata besojnë se ekziston vetëm një fe dhe se të gjithë Lajmëtarët e Perëndisë kanë reveluar në mënyrë progresive natyrën e saj. Të marra së bashku, fetë e mëdha botërore janë shprehje të një plani të vetëm të shpalosur Hyjnor, të “Besimit të pandryshueshëm të Perëndisë, të përjetshëm në të shkuarën, të përjetshëm në të ardhmen.”

Njerëzit me prejardhje nga të gjitha fetë kryesore kanë vënë re se premtimet dhe ajo që ata prisnin nga besimet e tyre janë përmbushur në Besimin Bahá'í. Bahá'í-të me prejardhje indianoamerikane, afrikane dhe autoktonë të tjerë, po kështu, gjejnë në mësimet Bahá'í përmbushjen e vizioneve profetike.

Për Bahá'í-të me prejardhje hebreje, Bahá'u'lláh-u është shfaqja e “Zotit të Ushtrive” që zbret “me dhjetëra mijë shenjtorë”. Pasardhës i Abrahamit dhe “filiz nga rrënja e Jesse-it”, Bahá'u'lláh-u ka ardhur të udhëheqë udhën e kombeve “për t'i kthyer shpatat në plugje”. Shumë tipare të mërgimit të pavullnetshëm të Bahá'u'lláh-ut në Tokën e Izraelit, bashkë me ngjarje të tjera historike gjatë jetës së Bahá'u'lláh-ut shihen si përmbushje e shumë profecive në Biblën.

Për Bahá'í-të me prejardhje hindu, Bahá'u'lláh-u vjen si trupëzim i ri i Krishnës, si “Avatari i Dhjetë” dhe “Shpirti Më i Madh”. Ai është që “nuk ka lindje, nuk ka vdekje”, Ai që “kur mirësia dobësohet”, kthehet “në çdo epokë” për të “vendosur drejtësi”, siç premtohet në Bhagavad-Gita.

Për Bahá'í-të me prejardhje budiste, Bahá'u'lláh-u përmbush profecitë për ardhjen e një “Bude të quajtur Mejtreje [Maitreye], Buda i miqësisë universale”, i cili, sipas traditave budiste, do të sjellë paqe e ndriçim për gjithë njerëzimin. Ata shohin përmbushjen e shumë profecive, të tilla si fakti që Buda Mejtreje do të vijë nga “Perëndimi”, duke vënë në dukje se Irani është Perëndim për Indinë.

Për Bahá'í-të me prejardhje kristiane, Bahá'u'lláh-u përmbush premtimet paradoksale të kthimit të Krishtit “me lavdinë e Atit” dhe si “hajdut natën”. Themelimi i besimit më 1844 lidhet me profeci të shumta kristiane. Bahá'í-të vënë re, për shembull, se Afrika u hap më në fund për Krishtërimin në dhjetëvjeçarin 1840-1850 dhe se kjo ngjarje shihej gjerësisht si përmbushje e premtimit se Krishti do të kthehet pasi “Ungjilli t'u jetë predikuar “të gjitha kombeve”. Në mësimet e Bahá'u'lláh-ut, Bahá'í-të shohin përmbushjen e premtimit të Krishtit për të bashkuar të gjithë njerëzit, në mënyrë që “të ketë vetëm një grigjë e një bari”.

Për Bahá'í-të me prejardhje myslimane, Bahá'u'lláh-u përmbush premtimin e Kuranit për “Ditën e Perëndisë” dhe “Lajmin e Madh”, kur “Perëndia” do të zbresë “i rrethuar me re”. Ata shohin në ngjarjet dramatike të lëvizjeve Bábí e Bahá'í përmbushjen e shumë deklaratave tradicionale të Muhametit, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë një enigmë. 1

 

____________________________________________

1 Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

_____________________________________________

 

*******************

Bahá'í-të besojnë se gjatë historisë Perëndia ia ka reveluar Veten njerëzimit përmes një vargu Lajmëtarësh Hyjnorë. Në këta Lajmëtarë përfshihen:

  • Abrahami
  • Krishna
  • Moisiu
  • Zoroastri
  • Buda
  • Jesui
  • Muhameti
  • Báb-i
  • Bahá'u'lláh-u

 

 

“Dera e dijes e Qenies së Lashtë gjithmonë ka qenë, dhe do të vazhdojë të jetë përgjithnjë, e mbyllur për njerëzit. Asnjë mendje njerëzore kurrë nuk do të lejohet të hyjë në oborrin e Tij të shenjtë. Por, si shenjë të mëshirës së Tij dhe si provë të dashamirësisë së Tij, Ai u ka shfaqur njerëzve Yjet e Ditës të udhëheqjes së Tij hyjnore, Simbolet e unitetit të Tij hyjnor, dhe ka urdhëruar që dija e këtyre Qenieve të shenjtëruara të jetë identike me dijen e Vetë Atij.... Çdonjëri prej tyre është Rruga e Perëndisë që lidh këtë botë me mbretëritë e epërme...”

Bahá'u'lláh

 

 

 

 

 

 

 

 

 

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Ky është Besimi i pandryshueshëm i Perëndisë, i përjetshëm në të shkuarën, i përjetshëm në të ardhmen.”

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014