Qendra Kombėtare Bahį’ķ, Rr. Dibrės nr. 59, Tiranė

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

Besimi Bahá’í

I themeluar më shumë se një shekull e gjysmë më parë, Besimi Bahá’í radhitet sot midis feve botërore që kanë rritjen më të shpejtë. Me më tepër se pesë milionë pasues në të paktën 238 vende e territore, ai është bërë tashmë besimi i dytë më i përhapur, duke ia kaluar, në shtrirjen e vet gjeografike, çdo feje, veç Krishtërimit. Bahá’í-të jetojnë në më shumë se 120.000 lokalitete anembanë botës, një shtrirje që pasqyron angazhimin e tyre në idealin e qytetarisë botërore.

Karakteri global i Besimit Bahá’í pasqyrohet në përbërjen e anëtarëve të tij. Duke përfaqësuar një profil të njerëzimit, Bahá’í-të vijnë faktikisht nga çdo komb, grup etnik, kulturë, profesion dhe klasë sociale ose ekonomike. Ata përfaqësojnë më shumë se 2.100 grupe të ndryshme etnike e fisnore.

Duke formuar gjithashtu një komunitet të vetëm, pa ndarje ose fraksione, Besimi Bahá’í përbën atë që ka shumë të ngjarë të jetë grupi i organizuar më i larmishëm e më i përhapur i njerëzve mbi tokë.

Themeluesi i Besimit ishte Bahá’u’lláh-u, një fisnik persian nga Teherani, i cili nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë hoqi dorë nga një jetë princërore e rehatshme dhe e sigurt, për një jetë persekutimi e privacionesh.

Bahá’u’lláh-u deklaroi se ishte jo më pak se një Lajmëtar i ri e i pavarur i Perëndisë. Jeta, vepra dhe ndikimi i Tij janë të ngjashme me ato të Abrahamit, Krishnës, Moisiut, Zoroastrit, Budës, Krishtit dhe Muhametit. Bahá’í-të e shikojnë Bahá’u’lláh-un si më të vonshmin në këtë varg të njëpasnjëshëm Lajmëtarësh Hyjnorë.

Mesazhi thelbësor i Bahá’u’lláh-ut është ai i unitetit. Ai mësonte se ka vetëm një Perëndi, se ka vetëm një racë njerëzore dhe se të gjitha fetë botërore kanë qenë stade në revelacionin e vullnetit e të qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Në këtë ditë, ka thënë Bahá’u’lláh-u, njerëzimi ka arritur kolektivisht moshën e pjekurisë. Siç është parathënë në të gjitha shkrimet botërore, ka ardhur koha për unifikimin e të gjithë popujve në një shoqëri globale të integruar e paqësore. “Toka është një vend i vetëm dhe njerëzimi qytetarët e saj,” ka shkruar Ai.

Më e reja ndër fetë e pavarura botërore, Besimi i themeluar prej Bahá’u’lláh-ut dallohet nga fetë e tjera në shumë drejtime. Ai ka një sistem unik administrimi global, me këshilla drejtuese të zgjedhura lirisht në më shumë se 20.000 lokalitete.

Ai ka një qëndrim të vetin ndaj problemeve shoqërore bashkëkohore. Shkrimet e Besimit dhe veprimtaritë e larmishme të anëtarëve të tij i drejtohen praktikisht çdo rryme të rëndësishme të botës së sotme, që nga mendimi i ri për shumëllojshmërinë kulturore dhe për ruajtjen e mjedisit deri te decentralizimi i marrjes së vendimeve; nga një zotim i përtërirë për jetën e moralin familjar te thirrja për një “Rend të Ri Botëror”.

Por arritja më karakteristike e Besimit është sidomos uniteti i tij. Ndryshe nga çdo fe tjetër - pa folur për shumicën e lëvizjeve sociale e politike, - Besimi Bahá’í i ka rezistuar me sukses shtysës së përhershme për t’u ndarë në sekte e nëngrupe. Ai e ka ruajtuar unitetin e vet edhe pse ka një histori po aq të trazuar sa dhe ajo e çdo feje monoteiste.

Njëqind vjet pas Bahá’u’lláh-ut, procesi i unifikimit global, për të cilin ka bërë thirrje Ai, ka shkuar mjaft përpara. Gjatë proceseve historike, janë shembur në mënyrë të vazhdueshme barrierat tradicionale të racës, të klasës, të bindjeve e të kombit. Forcat vepruese, ka parashikuar Bahá’u’lláh-u, do të çojnë më në fund në lindjen e një qytetërimi universal. Sfida kryesore që u del popujve të tokës është të pranojnë faktin e njëshmërisë së tyre dhe të ndihmojnë për krijmin e kësaj bote të re.

Që një shoqëri globale të lulëzojë, ka thënë Bahá’u’lláh-u, ajo duhet të bazohet në disa parime themelore të caktuara. Ato përfshijnë: eliminimin e të gjitha formave të paragjykimit; barazinë e plotë midis gjinive; njohjen e njëshmërisë thelbësore të feve të mëdha të botës; eliminimin e varfërisë e të pasurisë së skajshme; arsimin për të gjithë; harmoninë midis fesë e shkencës; një ekuilibër të qëndrueshëm midis natyrës e teknologjisë; dhe ngritjen e një sistemi federal botëror, të bazuar në sigurinë kolektive e në njëshmërinë e njerëzimit. 1

Shih Figurat Qendrore

_____________________________________________

1. Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

______________________________________________

*******************

“Kjo është Dita në të cilën favoret më të çmuara të Perëndisë janë derdhur mbi njerëzit, Dita në të cilën hiri i Tij më i fuqishëm u është futur të gjitha gjërave të krijuara.”

- Bahá’u’lláh

“ Të gjithë njerëzit janë krijuar për të çuar përpara një qytetërim që është në progres të vazhdueshëm. I Gjithëfuqishmi Më është dëshmitar: Nuk i ka hije njeriut të sillet si kafshët e pyllit. Virtytet që i shkojnë dinjitetit të tij janë vetpërmbajtja, mëshira, dhembshuria dhe dashamirësia ndaj të gjithë popujve e fiseve të tokës ”.

- Bahá’u’lláh

"Ata që shquhen për sinqeritet e besnikëri duhet të shoqërohen me të gjithë popujt e fiset e botës me gëzim e hare, sepse shoqërimi me njerëzit ka çuar e do të vazhdojë të çojë përpara unitetin e harmoninë, të cilat nga ana e tyre ndihmojnë mbajtjen e rendit në botë dhe përtëritjen e kombeve. Bekuar qofshin ata që mbahen fort pas telit të mirësjelljes e të mëshirës së dhembshur dhe janë të lirë nga çdo armiqësi e urrejtje".

- Bahá’u’lláh

“Vitaliteti i besimit të njerëzve te Perëndia po shuhet në çdo vend; asgjë tjetër veç ilaçit të Tij universal nuk mund ta rikthejë atë.”

- Bahá’u’lláh

"Ata që janë të drejtë e të paanshëm në gjykimin e tyre zenë një pozitë sublime dhe kanë një rang të lartësuar. Drita e devocionit dhe e ndershmërisë ndrit me shkëlqim nga këta shpirtra. Shpresojmë me gjithë zemër që popujt dhe vendet e botës të mos privohen nga ndriçimet e këtyre dy yjeve".

- Bahá’u’lláh

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

O BIR I NJERIUT!

Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s’mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda tek ti shëmbëlltyrën Time, dhe të zbulova ty bukurinë Time”.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2017