Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Figurat Qendrore

Më poshtë jepet një përmbledhje e shkurtër mbi figurat qendrore të Besimit Bahá’í, që e kanë themeluar atë, kanë përcaktuar strukturën e tij dhe parimet e nevojshme për funksionimin e tij e për ngritjen e Rendit të Ri Botëror, i destinuar për të rimëkëmbur e çuar përpara fatet e njerëzimit.

 

Báb-i

(Porta - Lajmëtari i Besimit)

20 tetor 1819 – 9 korrik 1850

______________________

☼ "Besimi Bahá’í sillet rreth tri Figurave qendrore, i pari prej të cilëve ishte një djalë i ri, lindur në Shiraz, që quhej Mirza Ali Muhamet [Mírzá ‘Alí-Muhammad], i njohur si Báb-i (Porta), i cili në maj 1844, në moshën 25 vjeç, doli me rivendikimin se është Lajmëtari Që, sipas Shkrimeve të shenjta të Dispensacioneve të mëparshme, duhet të njoftojë e të përgatisë rrugën për ardhjen e Dikujt më të madh se Ai Vetë, misioni i të Cilit, sipas po këtyre Shkrimeve, do të ishte përurimi i një epoke të re të drejtësisë e të paqes, epokë që do të përshëndetej si plotësimi i të gjitha dispensacioneve të mëparshme dhe fillimi i një cikli të ri në historinë fetare të njerëzimit.

Përndjekja e shpejtë dhe e ashpër, e ndërmarrë nga forcat e organizuara klerike e nga shteti në vendlindjen e Tij, përshpejtoi shkallë-shkallë arrestimin e Tij, syrgjynosjen e Tij në malet e Azerbajxhanit [Adhirbáyján], burgosjen e Tij në fortesën e Mahku-së [Máh-Kú] e në Çihrik [Chihríq] dhe ekzekutimin e Tij në korrik 1850 nga një repart pushkatarësh në sheshin publik të Tabrizit. Jo më pak se njëzet mijë pasues të Tij u vranë me një egërsi të tillë barbare, saqë ngjalli simpatinë e ngrohtë dhe admirimin e pakufishëm të një numri shkrimtarësh, diplomatësh, udhëtarësh e studiuesish perëndimorë, disa prej të cilëve ishin dëshmitarë të këtyre dhunimeve të urryera dhe u shtynë të shkruajnë për to në librat e ditarët e tyre.

Që Báb-i, nismëtari i Dispensacionit Bábí, gëzon plotësisht të drejtën të renditet si një prej Manifestimeve të vetëmjaftueshme të Perëndisë, që Ai ka qenë veshur me pushtet e autoritet sovran dhe ushtron të gjitha të drejtat e prerogativat e Profetësisë së pavarur, është edhe kjo një tjetër e vërtetë themelore, të cilën Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut e shpall me këmbëngulje dhe që pasuesit e tij duhet ta mbështesin pa mëdyshje". 1 Mëso më shumë

 

Bahá’u’lláh-u

(Lavdia e Perëndisë)

12 nëntor 1817 – 29 prill 1892

_______________________

"Mirza Hysen Aliu [Mírzá Husayn-‘Alí], i titulluar Bahá’u’lláh (Lavdia e Perëndisë), lindur në Mazindaran [Mázindarán], ardhjen e të Cilit kishte paralajmëruar Báb-i, u sulmua nga të njëjtat forca të injorancës e të fanatizmit, u burgos në Teheran, u syrgjynos më 1852 nga vendlindja e Tij në Bagdad e prej andej në qytetin-burg të Akkës [‘Akká], ku qëndroi i burgosur jo më pak se njëzet e katër vjet, dhe në rrethinat e të cilit ndërroi jetë më 1892. Gjatë kohës së syrgjynosjes së Tij, sidomos në Adrianopojë e në Akër, Ai formuloi ligjet dhe dekretet e Dispensacionit të Tij, shtjelloi, në mbi njëqind vëllime, parimet e Besimit të Tij, ua shpalli Mesazhin e Tij mbretërve e sundimtarëve si të Lindjes dhe të Perëndimit, si të krishterë dhe myslimanë, iu drejtua Papës, Kalifit të Islamit, zyrtarëve të republikave të Kontinentit Amerikan, gjithë urdhërit priftëror të Krishterë, prijësve të Islamit Shiit e Sunit dhe kryepriftit të fesë Zoroastriane. Në këto shkrime Ai shpalli Revelacionin e Tij, u tërhoqi vëmendjen atyre të cilëve iu drejtua që t’i vënë veshin thirrjes së Tij dhe të mbështesin Besimin e Tij, i paralajmëroi ata për pasojat e refuzimit të tyre dhe, në disa raste, denoncoi arrogancën e tiraninë e tyre". 2

Pozita e Bahá’u’lláh-ut

☼ 'Ai Që në rrethana të tilla dramatike u ngarkua të mbante peshën dërrmuese të një Misioni kaq të lavdishëm ishte pikërisht Ai Që brezat e ardhshëm do ta brohorasin dhe pasuesit e panumërt të të Cilit e njohin tashmë si Gjykatësin, Ligjvënësin dhe Shëlbuesin e mbarë njerëzimit, si Organizatorin e gjithë planetit, si Unifikuesin e bijve të njerëzve, si Përuruesin e mijëvjeçarit të shumëpritur, si Nismëtarin e një “Cikli Universal” të ri, si Vendosësin e Paqes së Madhe, si Burimin e Drejtësisë së Madhe, si Shpallësin e arritjes së pjekurisë të gjithë gjinisë njerëzore, si Krijuesin e një Rendi të ri Botëror dhe si frymëzuesin e Themeluesin e një qytetërimi botëror'.

Për Judaizmin 'Ai ishte as më shumë e as më pak sesa mishërimi i “Atit të Përjetshëm”, zbritja e “Zotit të Ushtrive” “me dhjetë mijë shenjtorë”; për Krishtërimin Krishti i kthyer “në Lavdinë e Atit”; për Islamin Shiit kthimi i Imam Hysenit; për Islamin Sunit zbritja e “Shpirtit të Perëndisë” (Jesu Krishtit); për Zoroastrianët Shah-Bahrami i premtuar; për Indusët ritrupëzimi i Krishnës; për Budistët Buda i pestë".' 3 Mëso më shumë

 

‘Abdu’l-Bahá-i

(Qendra e Besëlidhjes)

23 maj 1844 – 28 nëntor 1921

______________________  

☼ Djali i tij i madh, Abas Efendi [‘Abbás Effendi], i njohur si ‘Abdu’l-Bahá (Shërbëtori i Bahá-it), i caktuar prej Tij si pasardhësi i Tij i ligjshëm dhe Interpretuesi i autorizuar i mësimeve të Tij, i Cili që nga vitet e hershme të fëmijërisë ishte i lidhur ngushtë me të Atin dhe ndau me të syrgjynosjen e vuajtjet, qëndroi i burgosur deri më 1908, kur si rezultat i Revolucionit Xhonturk, u lirua nga burgu. Pasi e vendosi selinë e tij në Haifa, Ai së shpejti u nis për udhëtimin e Tij trevjeçar në Egjipt, Evropë dhe Amerikën e Veriut, gjatë të cilit shtjelloi para auditoresh të gjera mësimet e të Atit dhe parashikoi afrimin e asaj katastrofe që shpejt do t’i binte mbi kokë njerëzimit.

Ai u kthye në shtëpi në vigjiljen e Luftës I Botërore, gjatë së cilës ishte nën rrezik të vazhdueshëm, deri në çlirimin e Palestinës nga forcat e komanduara prej Gjeneral Alenbaj-it [General Allenby], i cili kishte konsideratën më të lartë për Të dhe për atë grusht shokësh të Tij të Syrgjynit në Akër e Haifa. Më 1921 Ai ndërroi jetë dhe u varros në një varr në mauzoleun e ngritur në Malin Karmel, me porosi të drejtpërdrejtë të Bahá’u’lláh-ut, për vendosjen e eshtrave të Báb-it, të cilat që më parë qenë çuar nga Tabrizi në Tokën e Shenjtë, pasi u ruajtën të fshehura për jo më pak se gjashtëdhjetë vjet. 4 Mëso më shumë

_____________________________________________

1 Shoghi Effendi, Guidance for Today and Tomorrow [Udhëheqje për sot e për nesër], Trusti Botues Bahá’í, Londër, MB, f. 4-5.

2 Po aty, f. 5-6.

3 Po aty, f. 11-12.

4 Po aty, f. 6-7.

____________________________________________________________

 

*******************

Për një përshrim më të gjerë të jetës së Figurave Qendrore të Besimit Bahá’í, mund të klikoni më poshtë:

 

 

 

 

Mauzoleu i Báb-it mbi Malin Karmel Haifa, Izrael

"Shenjtëruar qoftë Zoti në dorën e të Cilit është burimi i sundimit. Ai krijon gjithçka që dëshiron me fjalën e Tij urdhëruese ‘U bëftë’, dhe ashtu bëhet.E Tij ka qenë fuqia e pushtetit gjer më sot dhe e Tij do të mbetet tash e tutje".

- Báb

 

 

 

Mauzoleu i Bahá’u’lláh-ut, Akka, Izrael

"Me të vërtetë, Unë them, kjo është dita në të cilën njerëzimi  mund të sodisë Fytyrën dhe të dëgjojë Zërin e të Premtuarit. Thirrja e Perëndisë është shpallur dhe drita e shëmbëlltyrës së Tij është ngritur mbi njerëzit. Çdo njeri duhet të fshijë çdo gjurmë fjale të kotë nga tabela e zemrës së vet dhe të shohë me mendje të hapur e të paanshme shenjat e Revelacionit të Tij, provat e Misionit të Tij dhe treguesit e lavdisë së Tij. E madhe është me të vërtetë kjo Ditë! Aluzionet që janë bërë për të në të gjitha Shkrimet e shenjta si Dita e Perëndisë vërteto­jnë madhështinë e saj. Shpirti i çdo profeti të Perëndisë, i çdo Lajmëtari Hyjnor ka qenë i etur për këtë Ditë të mahnitshme. Edhe të gjitha fiset e ndryshme të tokës gjithashtu digjeshin nga dëshira për t’ia arritur kësaj Dite".

- Bahá’u’lláh

 

 

 

 

 

‘Abdu’l-Bahá

"O ju të shtrenjtit e Perëndisë! Dijeni me të vërtetë se lumturia e njerëzimit shtrihet në unitetin dhe harmoninë e racës njerëzore, se zhvillimet materiale e shpirtërore kushtëzohen nga dashuria dhe miqësia midis njerëzve".

- ‘Abdu’l-Bahá

 

 

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi unikal, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sy të vdekshëm kurrë s’kanë parë”.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014