Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

Parimet Kryesore

Parimet e Besimit Bahá’í janë vendosur nga Bahá’u’lláh-u, Themeluesi i Besimit, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe janë shpallur nga Djali dhe pasardhësi i emëruar i Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i, gjatë një misioni 29-vjeçar veprimtarie të palodhur. Ndërsa kryente një udhëtim historik për përhapjen e Besimit më 1912 në mbarë Shtetet e Bashkuara e Kanadanë, ‘Abdu’l-Bahá-i ua shpjegoi Mësimet e Bahá’u’­lláh­ut dëgjuesve me prejardhje pafundësisht të ndryshme. Shumë prej bisedave të tij përfshinin diskutime për të tilla parime Bahá’í si:

  • Njëshmëria e njerëzimit
  • Paqja universale e mbështetur nga një qeveri botërore
  • Hetimi i pavarur i së vërtetës
  • Baza e përbashkët e të gjitha feve
  • Harmonia thelbësore e shkencës dhe fesë
  • Barazia në të drejta e burrave dhe grave
  • Eliminimi i paragjykimeve të çdo lloji
  • Edukimi universal i detyrueshëm
  • Një zgjidhje shpirtërore për problemet ekonomike
  • Një gjuhë ndihmëse universale

Shpjegimi i këtyre parimeve në pjesët që vijojnë janë pasazhe nga bisedat publike të ‘Abdu’l-Bahá-it në Amerikë më 1912, të botuara në Shpallja e Paqes Universale [The Promulgation of Universal Peace].

.

☼ Njëshmëria e Njerëzimit

Një mësim themelor i Bahá’u’lláh-ut është njëshmëria e botës së njerëzimit. Duke iu drejtuar gjinisë njerëzore, Ai thotë: “Ju të gjithë jeni gjethet e një peme dhe frytet e një dege”. Kjo do të thotë se bota e njerëzimit i ngjan një peme, kombet ose popujt janë gjymtyrët apo degët e ndryshme të kësaj peme dhe krijesat njerëzore individuale janë frytet dhe lulet e saj. 1

Edhe pse në shekuj e kohë të mëparshme kjo çështje është përmendur e marrë në konsideratë në njëfarë mase, tani ajo është bërë tema dhe çështja më e rëndësishme në kushtet fetare e politike të botës. Historia tregon se gjatë gjithë së kaluarës ka pasur luftë e konflikt të vazhdueshëm midis kombeve, popujve e sekteve të ndryshme, por tani, ... në këtë shekull të ndriçuar, zemrat janë të prirura drejt marrëveshjes e miqësisë dhe mendjet të vëmendshme ndaj çështjes së bashkimit të njerëzimit. 2

Ç’dobi e bekime të pallogaritshme do të binin mbi familjen e madhe njerëzore në qoftë se do të vendoseshin uniteti dhe vëllazëria! Në këtë shekull, kur rezultatet dobiprurëse të unitetit dhe efektet e këqia të mosmarrëveshjes duken kaq qartë, mjetet për arritjen dhe realizimin e miqësisë njerëzore janë shfaqur në botë. 3

☼ Paqja Universale e mbështetur nga një qeveri botërore

Bota ka nevojë të madhe për paqe ndërkombëtare. Sakohë ajo nuk është vendosur, njerëzimi nuk do të ketë prehje e qetësi. Është e nevojshme që kombet dhe qeveritë të organi­zojnë një gjykatë ndërkombëtare, së cilës t’i referohen të gjitha grindjet e mosmarrëveshjet. Vendimi i asaj gjykate duhet të jetë përfundimtar. 4

Ai (Bahá’u’lláh-u) u ka bërë atyre (sundimtarëve të botës) thirrje për paqe e marrëveshje ndërkombëtare, duke u ngarkuar detyrën të krijojnë një këshill ndërkombëtar arbitrazhi; që nga të gjitha kombet e qeveritë e botës të ketë delegatë të zgjedhur për një kongres të kombeve, i cili të krijojë një gjykatë universale arbitrazhi të drejtësisë për të sheshuar grindjet ndërkombëtare. 5

Lufta dhe konfliktet duhet të çrrënjosen, mosmarrëveshjet dhe grindjet të zhduken dhe Paqja Universale të bashkojë kombet e popujt e botës. Gjithë njerëzimi duhet të jetojnë së bashku si një familje, të shkrihen si valët e një deti, të shkëlqejnë si yjet e një qielli dhe të duken si fryte të së njëjtës pemë. 6

Qytetërimi i vërtetë do të shpalosë flamurin e tij mu në zemër të botës kurdo që një numër i caktuar sovranësh të tij të shquar e të virtytshëm – shembuj të shkëlqyer të përkushtimit e të vendosmërisë, – për hir të së mirës e të lumturisë së mbarë njerëzimit, do të ngrihen me vendosmëri të patundur e me një vizion të qartë për të hedhur themelet e Kauzës së Paqes Universale. Ata duhet ta bëjnë Kauzën e Paqes objekt konsultimi të përgjithshëm dhe të përpiqen me të gjitha mjetet që kanë në dorë të krijojnë një Bashkim të kombeve të botës.

Ata duhet të përfundojnë një traktat të detyrueshëm dhe të vendosin një besëlidhje, kushtet e së cilës të jenë reale, të paprekshme e të përcaktuara mirë. Ata duhet ta shpallin atë para tërë botës dhe të marrin miratimin e mbarë gjinisë njerëzore. Kjo ndërmarrje supreme e fisnike – burimi i vërtetë i paqes e i mirëqenies së mbarë botës – duhet parë si një gjë e shenjtë nga të gjithë ata që banojnë mbi tokë. Të gjitha forcat e njerëzimit duhet të mobilizohen për të siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e kësaj Besëlidhjeje Më të Madhe. Në këtë Pakt gjithë­përfshirës do të përcaktoheshin qartë sinoret e kufijtë e çdo kombi, do të fiksoheshin saktë parimet që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të qeverive me njëra-tjetrën dhe do të sanksio­noheshin të gjitha marrëveshjet e detyrimet ndërkombëtare. Po kështu do të kufizohej rreptësisht sasia e armatimeve të çdo qeverie, sepse po të lejoheshin të rriten përgatitjet për luftë dhe forcat ushtarake të cilitdo kombi, kjo do të ngjallte dyshimin e të tjerëve. Parimi themelor i vendosur në bazën e këtij Pakti solemn do të formulohej në mënyrë të tillë që, në rast se më vonë ndonjë qeveri do të shkelte ndonjë prej kushteve të tij, të gjitha qeveritë e tokës do të ngriheshin e ta detyronin atë të pranonte nënshtrimin e plotë, madje gjinia njerëzore si një e tërë do të vendoste ta shkatërronte atë qeveri me të gjitha mjetet e mundshme. Në qoftë se ky ilaç më i madh do të përdorej në trupin e sëmurë të botës, ky me siguri do të shërohej nga të gjitha sëmundjet dhe do të mbetej përjetë i shëndoshë e i sigurt. 7

☼ Hetimi i pavarur i së vërtetës

Perëndia i ka dhënë njeriut syrin e hetimit, me anën e të cilit ai të mundë të njohë të vërtetën. Ai e ka pajisur njeriun me veshë, që të mundë të dëgjojë mesazhin e realitetit, dhe i ka dhuruar atij dhuntinë e arsyes, me anë të së cilës të mundë të zbulojë ai vetë sendet. Kjo është dhuntia e pajisja e tij për hetimin e realitetit. Nuk është parashikuar që njeriu të shohë me sytë e tjetrit, të dëgjojë me veshët e tjetrit dhe as të kuptojë me trurin e tjetrit. Çdo krijesë njerëzore ka dhunti, aftësi e përgjegjësi individuale në planin krijues të Perëndisë. 8

☼ Baza e përbashkët e të gjitha feve

Baza e të gjitha feve hyjnore është një. Të gjitha janë të bazuara në realitetin. Realiteti nuk e pranon shumësinë, e megjithatë në gjirin e njerëzimit kanë lindur dallime lidhur me Manifestimet e Perëndisë. Disa kanë qenë zoroastrianë, disa janë budistë, disa hebrenj, të krishterë, muhamedanë e kështu me radhë. Kjo është bërë burim divergjence, ndërsa mësimet e shpirtrave të shenjtë që kanë themeluar fetë hyjnore janë në thelb e në realitet një. Të gjitha ato i kanë shërbyer botës së njerëzimit. … Të gjitha kanë udhëhequr shpirtra për të arritur përsosuri, por midis kombeve janë shfaqur disa imitime të formave stërgjyshore të adhurimit. Këto imitime nuk janë themeli dhe thelbi i feve hyjnore. Meqenëse ato ndryshojnë nga realiteti dhe nga mësimet thelbësore të Manifestimeve të Perëndisë, kanë lindur mosmarrëveshje e janë zhvilluar paragjykime. Paragjykimi fetar bëhet kështu shkak luftërash e betejash.

Në qoftë se i braktisim këto imitime të vjetëruara dhe hetojmë realitetin, të gjithë ne do të jemi të bashkuar. Nuk do të mbeten mosmarrëveshje; antagonizmi do të zhduket. Të gjithë do të shoqërohen miqësisht. Të gjithë do të gëzojnë lidhjet e përzemërta të miqësisë. Atëherë bota e krijimit do të arrijë qetësinë. Retë e zeza e të zymta të imitimeve të verbëra e të mospërputh­jeve dogmatike do të shpërndahen e largohen; Dielli i Realitetit do të shkëlqejë me lavdi të madhe. 9

☼ Harmonia thelbësore e shkencës dhe fesë

Feja duhet t’i përshtatet shkencës dhe arsyes, përndryshe ajo është bestytni. Perëndia e ka krijuar njeriun që ai të shohë vërtetësinë e ekzistencës dhe e ka pajisur atë me mendje e arsye që të zbulojë të vërtetën. Prandaj dija shkencore dhe besimi fetar duhet të jenë në pajtim me analizën e kësaj aftësie hyjnore te njeriu. 10

☼ Barazia në të drejta e burrave dhe grave

Duhet të ketë barazi të drejtash midis burrave dhe grave. Grave duhet t’u jepet një privilegj i barabartë për shkollim. Kjo do t’u japë atyre mundësinë të kualifikohen e të përparojnë në të gjitha shkallët e punës e të mjeshtrisë. Sepse bota e njerëzimit ka dy krahë, burrin dhe gruan. Në qoftë se njëri krah mbetet i paaftë e i mangut, ai do të kufizojë fuqinë e tjetrit dhe fluturimi i plotë do të jetë i pamundur. Prandaj plotësia dhe përsosuria e botës njerëzore varet nga zhvillimi i barabartë i këtyre dy krahëve. 11

☼ Edukimi universal i detyrueshëm

...duke qenë se mosdija dhe mungesa e arsimimit janë barriera ndarjeje midis njerëzimit, të gjithë duhet të shkollohen e të marrin arsim. Falë kësaj mase mungesa e mirëkuptimit të ndërsjellë do të ndreqet dhe uniteti i njerëzimit do të çohet përpara. Arsimi universal është një ligj universal. Prandaj është detyrë e çdo babai të mësojë e arsimojë fëmijët e tij sipas mundësive që ka. Në qoftë se ai nuk është në gjendje t’i arsimojë ata, organet e pushtetit, përfaqësues të popullit, duhet të sigurojnë mjetet për shkollimin e tyre. 12

☼ Një zgjidhje shpirtërore për problemet ekonomike

Ndër rezultatet e shfaqjes së forcave shpirtërore do të jetë edhe që bota njerëzore do t’i përshtatet një forme të re shoqërore, drejtësia e Perëndisë do të shfaqet në të gjitha punët njerëzore dhe barazia njerëzore do të vendoset në mbarë botën. Të varfërit do të marrin një shpërblim të madh dhe të pasurit do të arrijnë lumturinë e përjetshme. Sepse, megjithëqë në kohën e tanishme të pasurit gëzojnë lluksin e komoditetet më të mëdha, atyre megjithatë u është mohuar lumturia e përjetshme; sepse lumturia e përjetshme varet nga dhënia dhe të varfërit janë gjithandej në gjendje të mjerueshme. Falë shfaqjes së drejtësisë së madhe të Perëndisë, të varfërit e botës do të shpërblehen e ndihmohen plotësisht dhe do të ketë një rregullim në kushtet ekonomike të njerëzimit, kështu që në të ardhmen nuk do të ketë më të pasur jashtë mase dhe as të varfër në gjendje të mjerueshme. Të pasurit do të gëzojnë privilegjin e kësaj gjendjeje të re ekonomike po aq sa dhe të varfërit, sepse falë disa masave e kufizimeve ata nuk do të jenë në gjendje të grumbullojnë aq shumë pasuri sa të jenë të mbingarkuar me administrimin e saj, ndërsa të varfërit do të jenë të çliruar nga trysnia e varfërisë dhe e mjerimit. I pasuri do të gëzojë pallatin e tij dhe i varfëri do të ketë shtëpizën e vet të rehatshme. 13

☼ Një gjuhë ndihmëse universale

Bahá’u’lláh-u ka shpallur adoptimin e një gjuhe universale. Duhet rënë dakord për një gjuhë, me anën e së cilës të vendoset uniteti në botë. Do të kërkohet që çdo njeri të përgatitet në dy gjuhë, në gjuhën e vet amëtare dhe në formën ndihmëse universale të gjuhës. Kjo do të lehtësojë komunikimin e ndërsjellë dhe do të zhdukë keqkuptimet që kanë shkaktuar në botë pengesat e gjuhës. 14

.

_________________________________________

1 ‘Abdu’l-Bahá, The Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], Trusti Botues Bahá’í, Uilmet, Ilinois, 1982, f. 454.

2 Po aty, f. 228–9.

3 Po aty, f. 230.

4 Po aty, f. 301.

5 Po aty, f. 203.

6 Po aty, f. 145.

7 ‘Abdu’l-Bahá , The Secret of Divine Civilization [Sekreti i Qytetërimit Hyjnor], Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá’í-ve të Sh.B.A., 1957, f. 64.

8 ‘Abdu’l-Bahá, The Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], f. 293.

9 Po aty, f. 344–5.

10 Po aty, f. 287.

11 Po aty, f. 318.

12 Po aty, f. 300.

13 Po aty, f. 132.

14 Po aty, f. 300.

_____________________________________________

*******************

Përveç këtyre parimeve kryesore, Bahá'í-të ndjekin kodin moral të Librave Qiellorë, si Biblës e të Kuranit të shenjtë - dhe më shumë. Bahá'u'lláh-u ndalon:

  • vrasjen
  • vjedhjen
  • gënjeshtrën
  • shkeljen e kurorës dhe pandershmërinë
  • kumarin
  • pijet alkoolike
  • përdorimin e drogës
  • thashethemet dhe shpifjen  

Bahá'í-të përpiqen të mbështesin një standard të lartë moral. Bahá'u'lláh-u theksonte rëndësinë e:

  • ndershmërisë
  • besueshmërisë
  • dëlirësisë
  • shërbimit ndaj të tjerëve
  • pastërtisë së qëllimit
  • zemërgjerësisë
  • vënies së veprave mbi fjalët
  • unitetit
  • punës si formë e adhurimit

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Shihe njeriun si një minierë të pasur në gurë të çmuar e me vlerë të pamatshme. Vetëm edukimi mund t’i nxjerrë në dukje thesaret e tij dhe ta bëjë njerëzimin të përfitojë prej tyre”.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2017