Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Përzgjedhje nga shkrimet e Bahá’u’lláh-ut

Citatet e mëposhtme janë vetëm një pikë nga oqeani i Revelacionit të Bahá’u’lláh-ut. Ato prekin tema të ndryshme, që nga lidhja e Perëndisë me individin, e deri tek qëllimi i evolucionit të shoqërisë njerëzore dhe mjetet e nevojshme për ngritjen e një rendi botëror në paqe e unitet. Ju ftojmë t'i zbuloni thesaret e dijes që fshihen në to.

O BIR I SHPIRTIT! Këshilla Ime e parë është kjo: ki një zemër të dëlirë, të sjellshme e rrezëlluese, që yti të jetë një sovranitet i lashtë, i pavdekshëm e i përjetshëm. 1

O BIR I SHPIRTIT! Më e shumëdashura e të gjitha gjërave në sytë e Mi është drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua, dhe mos e lër atë pasdore, që Unë të kem besim tek ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Peshoje këtë në zemrën tënde; kështu të ka hije të jesh. Me të vërtetë drejtësia është dhurata Ime për ty dhe shenja e dashamirësisë Sime. Mbaje, pra, këtë para syve të tu". 2

"O BIR I NJERIUT! Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s’mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda tek ti shëmbëlltyrën Time, dhe të zbulova ty bukurinë Time". 3

"O BIR I FJALËS! Ktheje fytyrën tënde nga Imja dhe hiq dorë prej të gjithëve veç Meje, sepse mbretëria Ime vazhdon dhe sundimi Im nuk merr fund. Po kërkove dikë tjetër veç Meje, sikur ti të kërkoje gjithësinë për ­ gjithmonë, kërkesa jote do të jetë e kotë". 4

"Duke manifestuar Veten e Tij, qëllimi i të vetmit Perëndi të vërtetë është t’i bëjë thirrje gjithë njerëzimit për vërtetësi e sinqeritet, për mëshirë e besnikëri, për nënshtrim e përulje ndaj Vullnetit të Perëndisë, për durim e shpirtmirësi, për ndershmëri e urti. Synimi i Tij është të veshë çdo njeri me mantelin e një karakteri të padjallëzuar dhe ta stolisë atë me ornamentin e veprave të shenjta e të mëdha". 5

"Këta Profetë e të Zgjedhur të Perëndisë janë bartësit e reveluesit e të gjitha atributeve dhe emrave të pandryshueshëm të Perëndisë. Ata janë pasqyrat që reflektojnë me vërtetësi e besnikëri dritën e Perëndisë. Çdo gjë e përdorshme për ta është në realitet e përdorshme për Vetë Perëndinë, i Cili është si i Dukshmi dhe i Padukshmi. Dijet për Atë, Që është origjina e të gjitha gjërave, dhe arritja tek Ai janë të pamundura ndryshe, veçse nëpërmjet dijes për këto Qenie të shkëlqyera, që rrjedhin nga Dielli i së Vërtetës, dhe arritjes tek ato. Pra, duke arritur në prani të këtyre Llambave të shenjta është arritur Vetë “Prania e Perëndisë”. Nga dija e tyre revelohet dija e Perëndisë, dhe nga drita e fytyrës së tyre bëhet i dukshëm shkëlqimi i fytyrës së Perëndisë. Përmes atributeve të shumta të këtyre Thelbeve të Shkëputjes, Që janë të parët e të fundit, të dukshmit e të fshehurit, evidentohet se Ai, Që është Dielli i së Vërtetës, është “I Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Fshehuri”. Po kështu edhe me emrat e tjerë të lartë dhe atributet e lavdëruara të Perëndisë. Prandaj cilido qoftë, dhe në cilindo Dispensacion, që ka njohur dhe ka arritur praninë e këtyre Llambave të lavdishme, të ndritshme e kaq të përsosura, ka arritur me të vërtetë Vetë “Praninë e Perëndisë” dhe ka hyrë në qytetin e jetës së amshuar e të pavdekshme. Arritja në një prani të tillë është e mundur vetëm në Ditën e Ringjalljes, që është Dita kur del Vetë Perëndia përmes Revelacionit të Tij gjithëpërfshirës". 6

"Detyra e parë që Perëndia u ka caktuar shërbëtorëve të Vet është të njohin Atë Që është Agimi i Revelacionit të Tij dhe Gurra e ligjeve të Tij, Q ë përfaqëson Hyjninë si në Mbretërinë e Kauzës së Tij dhe në botën e krijimit. Kushdo që e kryen këtë detyrë ka arritur gjithë të mirat; dhe kushdo që është i privuar nga kjo ka humbur rrugën, edhe sikur të ketë kryer veprat më të denja. Është detyrë e cilitdo që arrin këtë pozitë kaq sublime, këtë majë lavdie të përkryer, të zbatojë çdo porosi të Atij Që është Dëshira e botës. Këto detyra binjake janë të pandara. Asnjëra nuk është e pranueshme pa tjetrën. Kështu ka dekretuar Ai Që është Burimi i frymëzimit Hyjnor". 7

"Thuaj: Lum i përgjumuri që Flladi Im e ka zgjuar. Lum i pajeti që fryma Ime jetëdhënëse e ka ngjallur. Lum syri që soditja e Bukurisë Sime e ka ngushëlluar. Lum shtegtari që i ka drejtuar hapat ndaj Shatorres së lavdisë e të madhështisë Sime. Lum i brengosuri që kërkon strehë nën hijen e tendës Sime. Lum i eturi që nxiton drejt ujërave të dashamirësisë Sime që rrjedhin të qeta. Lum shpirti i pangopur që për hir të dashurisë ndaj Meje flak tutje dëshirat e tij egoiste dhe zë vend në tryezën e gostisë që Unë kam dërguar nga qielli i bujarisë hyjnore për të zgjedhurit e Mi. Lum i poshtëruari që kapet fort pas telit të lavdisë Sime; dhe nevojtari që futet nën hijen e Shatorres së pasurisë Sime. Lum i padituri që kërkon burimin e dijes Sime; dhe i shkujdesuri që kapet pas telit të kujtimit Tim. Lum shpirti që është ngjallur së vdekurish nga Fryma Ime jetëdhënëse dhe është pranuar në Mbretërinë Time qiellore. Lum njeriu që aromat e këndshme të ribashkimit me Mua e kanë zgjuar dhe e kanë qasur pranë Agimit të Revelacionit Tim. Lum veshi që ka dëgjuar, dhe gjuha që ka dëshmuar, dhe syri që ka parë e njohur Vetë Zotin, në lavdinë e madhërinë e Tij të pafund, të veshur me madhështi e pushtet. Lum ata që kanë arritur në praninë e Tij. Lum njeriu që ka kërkuar dritë nga Ylli i Ditës i Fjalës Sime. Lum ai që e ka stolisur ballin me diademën e dashurisë Sime. Lum ai që ka dëgjuar për brengën Time dhe është ngritur të Më ndihmojë ndër njerëzit e Mi. Lum ai që ka bërë fli jetën e tij në shtegun Tim dhe ka vuajtur fatkeqësi të shumta për hir të emrit Tim. Lum njeriu që, i sigurt për Fjalën Time, është ngritur së vdekurish për të Më thurur lavde Mua. Lum ai që, i magjepsur nga meloditë e Mia të mrekullueshme, ka çarë perdet me fuqinë e pushtetit Tim. Lum ai që i ka qëndruar besnik Besëlidhjes Sime dhe që gjërat e kësaj bote nuk e kanë penguar të arrijë Oborrin Tim të shenjtërisë. Lum njeriu që është shkëputur nga çdo gjë tjetër veç Meje, që është lëshuar fluturim në atmosferën e dashurisë Sime, që është pranuar në Mbretërinë Time, që ka soditur sferat e Mia të lavdisë, që ka shijuar ujërat e gjalla të bujarisë sime, që ka pirë plot kupën nga lumi qiellor i provanisë Sime, që është njohur me Kauzën Time, që ka kuptuar atë që Unë kam fshehur në thesarin e Fjalëve të Mia, ai që ka shkëlqyer në horizontin e dijes hyjnore, duke Më lavdëruar e madhëruar Mua. Ai, me të vërtetë, është Imi. Mbi të qofshin mëshira Ime, dashamirësia Ime, bujaria Ime dhe lavdia Ime". 8

"Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar në fletën e shtatë të Parajsës Më të Lartë është kjo: O ju njerëz të urtisë midis kombeve! Mbyllini sytë për armiqësinë dhe nguleni shikimin mbi unitetin. Kapuni fort pas asaj që do t’i sjellë mirëqenien e qetësinë mbarë njerëzimit. Kjo copë tokë është një atdhe i vetëm e një banesë e vetme. E keni për detyrë të hiqni dorë nga vetëmburrja, që shkakton veçim, dhe t’i prirni zemrat ndaj çdo gjëje që siguron harmoni. Sipas gjykimit të njerëzve të Bahá-it, lavdia e njeriut qëndron në dijen e tij, në sjelljen e tij të mirë, në karakterin e tij të lavdërueshëm, në urtinë e tij, dhe jo në kombësinë ose rangun e tij. O njerëz të tokës! Çmojeni vlerën e kësaj fjale qiellore. Me të vërtetë ajo është si një anije për oqeanin e dijes dhe një yll i shndritshëm për mbretërinë e të të kuptuarit". 9

 

Për më tepër, mund të shihni botimet e plota në shqip, nga ku këto citate janë marrë:

 

Dokumentet janë të disponueshme në format pdf. Përcaktoni nëse kompjuteri juaj e ka të instaluar programin Adobe Acrobat Reader. Nëse nuk e keni, një kopje falas e tij mund të shkarkohet prej adobe.com

_____________________________________________

1 Fjalët e Fshehura dhe Fjalë Urtie, Nr. 1, Fq. 5

2 Po aty, Nr. 2, Fq. 5

3 Po aty, Nr. 3, Fq. 6

4 Po aty, Nr. 15, Fq. 9

5 Qëmtime, Paragrafi 137/4, Fq. 202

Kurani 57:3.

6 Kitábi Ikan (Libri i Sigurisë), Paragrafi 1, Fq. 19

7 Kitábi Akdas (Libri më i Shenjtë), Paragrafi 1, Fq. 19

8 Tabelat e Bahá’u’lláh-ut, Lawh-i-Akdas (Tabela më e Shenjtë ose Tabela për të Krishterët), Paragrafi 20/6, Fq. 12

8 Tabelat e Bahá’u’lláh-ut, Kalimat-i-Firdawsiyyih (Fjalët e Parajsës), Paragrafi 27, Fq. 55

_____________________________________________

 

*******************

" I bekuar është ai që zbulon aromën e domethënieve të brendshme nga gjurmët e kësaj Pende, përmes lëvizjes së të cilës flladet e Perëndisë përhapen mbi gjithë krijimin dhe përmes palëvizshmërisë së të cilës vetë thelbi i qetësisë shfaqet në botën e qenies. Lëvduar qoftë Mëshirëploti, Reveluesi i një bujarie kaq të paçmuar. Thuaj: Meqenëse Ai mbante mbi shpatulla padrejtësinë, mbi tokë u shfaq drejtësia, dhe meqenëse Ai pranoi poshtërimin, madhështia e Perëndisë shkëlqeu midis njerëzimit”.

- Bahá’u’lláh

 

Disa lutje të reveluara nga Bahá’u’lláh-u

 

"I bekuar është trualli, dhe shtëpia, dhe vendi, dhe qyteti, dhe zemra, dhe mali, dhe streha, dhe guva, dhe lugina, dhe toka, dhe deti, dhe ishulli, dhe livadhi, ku emri i Perëndisë është përmendur dhe lëvdata e Tij është lartësuar".

– Bahá’u’lláh

 

Për Prindërit

"Ti i shikon, O Zot, duart tona që luten të shtrira drejt qiellit të favorit e të bujarisë Sate. Bëj që ato të mbushen me thesaret e bollëkut e të favoreve të Tua bujare. Ndjena ne dhe etërit tanë e nënat tona, dhe plotësona gjithçka dëshirojmë nga oqeani i hirit e i bujarisë Sate Hyjnore. Pranoji, O i Shumëdashuri i zemrave tona, të gjitha bëmat tona në rrugën Tënde. Ti je, me të vërtetë, Më i Pushtetshmi, Më i Lavdëruari, i Pakrahasueshmi, i Vetmi, Falësi, i Hirshmi".

– Bahá’u’lláh

 

Për Shërim

"Emri Yt është shërimi im, O Perëndia im, dhe kujtimi Yt është ilaçi im. Afërsia ndaj Teje është shpresa ime, dhe dashuria për Ty është bashkëudhëtarja ime. Mëshira Jote për mua është shërimi im dhe shpëtimi im në këtë botë e në botën që do të vijë. Ti je, me të vërtetë, Bujariploti, i Gjithëdijshmi, Urtiploti".

– Bahá’u’lláh

 

Për Rritje Shpirtërore

"Krijo tek unë një zemër të kulluar, O Perëndia im, dhe përtëri një ndërgjegje të qetë brenda meje, O Shpresa ime! Përmes shpirtit të pushtetshëm mbështetmë në Kauzën Tënde, O Më i Shumëdashuri im, dhe me dritën e lavdisë Sate zbulo para meje shtegun Tënd, O Ti qëllimi i dëshirës Sime! Nëpërmjet pushtetit të fuqisë Sate të përsosur, më ngrej në qiellin e shenjtërisë Sate, O Burimi i qenies sime, dhe me flladet e përjetësisë Sate më ngazëlle, O Ti që je Perëndia im! Le të më sjellin meloditë e Tua të përjetshme qetësinë, O Bashkudhëtari im, dhe thesaret e pamjes Sate të lashtë të më çlirojnë nga gjithçka veç Teje, O Mjeshtri im, dhe lajmet e gëzuara të revelimit të Thelbit Tënd të pa­shkatë­rrueshëm të më sjellin gëzim, O Ti që je më i dukshmi i të dukshmëve dhe më i fshehuri i të fshehurve"!

– Bahá’u’lláh

 

Për Unitet

"O Perëndia im! O Perëndia im! Bashkoji zemrat e shërbëtorëve të Tu dhe zbuloju atyre qëllimin Tënd të madh. Le të zbatojnë ata porositë e Tua dhe t’i binden ligjit Tënd. Ndihmoji ata, O Perëndi, në përpjekjen e tyre dhe jepu fuqi të të shërbejnë Ty. O Perëndi! Mos i lër ata me vetveten, por drejtoji hapat e tyre me dritën e dijes Sate, dhe gëzoji zemrat e tyre me dashurinë Tënde. Me të vërtetë, Ti je Përkrahësi i tyre dhe Zoti i tyre".

– Bahá’u’lláh

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

“Shihe njeriun si një minierë të pasur në gurë të çmuar e me vlerë të pamatshme. Vetëm edukimi mund t’i nxjerrë në dukje thesaret e tij dhe ta bëjë njerëzimin të përfitojë prej tyre”.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014