Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Shoghi Effendi-u

Epoka e Ruajtësit

Më 28 nëntor 1921, ‘Abdu’l-Bahá-i ndërroi jetë qetësisht në gjumë. Ashtu si Ati i Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i ishte i shqetësuar për mundësinë e përçarjes fetare pas vdekjes së Tij. Kështu, edhe Ai la një vullnet e testament të qartë e të shkoqur - një shtrirje të Besëlidhjes së vendosur nga Bahá’u’lláh-u.

Në atë dokument, ‘Abdu’l-Bahá-i emëronte nipin e Tij më të madh, Shoghi Effendi Rabbáni-n, ta zëvendësonte Atë si Ruajtës i Besimit Bahá’í. Ruajtësia ishte një institucion i parashikuar nga Bahá’u’lláh-u. Në këtë post, Shoghi Effendi-u ishte interpretuesi i autorizuar i mësimeve Bahá’í.

Lindur në Akka më 1 mars 1897, Shoghi Effendi-u e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij të hershme në gjunjët e ‘Abdu’l-Bahá-it. Ai ndoqi Universitetin Amerikan në Bejrut dhe pastaj Universitetin e Oksfordit në Angli - që i dha atij dije të përsosur të gjuhës angleze e të kulturës perëndimore.

Gjatë drejtimit të Shoghi Effendi-ut, Besimi Bahá’í u bë një fe e vërtetë botërore. Në kohën kur ‘Abdu’l-Bahá-i ndërroi jetë më 1921, kishte 100.000 Bahá’í. Shumë ishin iranianë dhe pjesa më e madhe jetonin në Iran ose në vende të tjera në Lindjen e Mesme. Një grusht besimtarësh jetonin në Indi, në Evropë dhe në Amerikën Veriore - gjithsej në rreth 35 vende. Vetëm 36 vjet më pas, në kohën kur Shoghi Effendi-u ndërroi jetë më 1957, kishte rreth 400.000 Bahá’í dhe ata jetonin në më shumë se 250 vende, territore e koloni.

Në letrat e tij, Shoghi Effendi-u jep, gjithashtu, orientime për sistemin e zgjedhjeve dhe për marrjen e vendimeve në grup, që u bë një prej tipareve dalluese të Besimit Bahá’í. Ai u shkruante letra insitucioneve Bahá’í pa përvojë për të shpjeguar kuptimin e mësimeve të Bahá’u’lláh-ut për çështje që shkonin nga jeta familjare deri në qeverisjen botërore. Ai ka përpunuar me hollësi marrëdhëniet e Besimit Bahá’í me fe e doktrina të tjera. Shkrimet e tij të qarta e të sakta kanë ndihmuar për të sqaruar më tej pikëpamjet dalluese Bahá’í për çështje të etikës, të teologjisë e të historisë.

Ndoshta më e rëndësishmja, përsa i përket rritjes së Besimit Bahá’í, është se letrat e Shoghi Effendi-ut për botën Bahá’í përbënin një burim të vazhdueshëm inkurajimi e mbështetjeje. Edhe pse Besimi Bahá’í gëzon sot një respekt të gjerë, të bëheshe Bahá’í më 1930, 1940 apo 1950 do të thoshte ta ekspozoje veten ndaj dyshimeve e talljeve.

Vizioni i qartë i Shoghi Effendi-ut për Besimin Bahá’í si revelacioni i Perëndisë për epokën tonë dhe siguria e tij për triumfin përfundimtar të këtij Besimi, ndihmuan për t’i dhënë zemër një gjenerate besimtarësh që, edhe pse të paktë në numër, ishin përgjegjës për përhapjen e mesazhit të Bahá’u’lláh-ut në çdo qoshe të globit. 1

Me ndërrimin jetë të Shoghi Effendi-ut, besëlidhja e Bahá’u’lláh-ut do të përjetësohej në lavdinë e plotë të saj me zgjedhjen për herë të parë dhe ngritjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

 

_____________________________________________

1 Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

____________________________________________________________

 

*******************

 

Shoghi Effendi

Ruajtësi i Besimit Bahá’í

 

Ai shkruante më 1936:

“...Unifikimi i mbarë njerëzimit është shenja dalluese e epokës, së cilës po i afrohet tani shoqëria njerëzore. Uniteti i familjes, i fisit, i qytetit-shtet dhe i kombit janë provuar njëri pas tjetrit dhe janë realizuar plotësisht. Uniteti i botës është qëllimi drejt të cilit po priret një njerëzim i shqetësuar. Ndërtimi i kombeve ka përfunduar. Anarkia e brendshme e sovranitetit shtetëror po arrin kulmin. Një botë që po i afrohet pjekurisë, duhet ta braktisë këtë idhull, të njohë njëshmërinë e tërësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe të vendosë, një herë e mirë, mekanizmin që mund ta mishërojë më mirë këtë parim themelor të jetës së vet...”

- Shoghi Effendi

 

Godinat e Harkut mbi Malin Karmel - dëshmi e gjenialitetit të tij si zbatues i vizionit të Bahá’u’lláh-ut

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Së shpejti rendi i sotëm do të paloset dhe një rend i ri do të shpaloset në vend të tij. Me të vërtetë, Zoti yt thotë të vërtetën dhe është Njohësi i gjërave të padukshme.

- Bahá’u’lláh -

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014