I kompozuar në Bagdad në vitin 1274 AH (1857-8 es), Bahá’u’lláh·u i përshkruan Fjalët e Fshehura si një distilim i udhëheqjes shpirtërore që përfshihet në Revelacionet e njëpasnjëshme të Perëndisë. Shoghi Effendi e quajti atë veprën etike më të shquar të Bahá’u’lláh·ut.
Fjalët e Fshehura të Bahá’u’lláh·ut mund të lexohen të plota në Bibliotekën e Referencave Bahá’í. Disa ekstrakte ndahen më poshtë.
O BIR I SHPIRTIT!
Këshilla Ime e parë është kjo: zotëro një zemër të dëlirë, të dashur e rrëzëlluese, që yti të jetë një sovranitet i lashtë, i pavdekshëm e i përjetshëm.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 1.
O BIR I SHPIRTIT!
Më e shumëdashura e të gjitha gjërave në sytë e Mi është drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua, dhe mos e lër atë pasdore, që Unë të kem besim tek ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Peshoje këtë në zemrën tënde;
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 2.
O BIR I NJERIUT!
Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s’mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndjeva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda tek ti shëmbëll-tyrën Time, dhe të zbulova ty bukurinë Time.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 3.
O BIR I QENIES!
Më duaj, që Unë të të dua. Nëse ti nuk më do, dashuria Ime kurrsesi nuk mund të arrijë tek ti. Dije këtë, o shërbëtor.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 5.
O BIR I QENIES!
Ti je llamba Ime dhe drita Ime është në ty. Merr ndriçim prej saj dhe mos kërko askënd tjetër veç Meje. Sepse Unë të kam krijuar të pasur dhe kam derdhur bujarisht mbi ty dashamirësinë Time.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 11.
O BIR I SHPIRTIT!
Unë të kam krijuar të pasur, përse, pra, do vetë të biesh në varfëri? Fisnik të bëra ty, përse, pra, do vetë të poshtërohesh? Prej thelbit të dijes Unë të dhashë ty qenien, përse, pra, kërkon ndriçim nga dikush tjetër veç Meje? Prej argjilës së dashurisë të artova ty, përse, pra, ti merresh me një tjetër? Ktheje vështrimin ndaj vetes, që të më gjesh Mua që qëndroj brenda teje, i fuqishëm, i pushtetshëm e i vetëqenëshëm.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 13.
O BIR I VEGIMIT TË MREKULLUESHËM!
Unë kam fryrë brenda teje një frymë të vetë Shpirtit Tim, që ti të më duash Mua. Përse më ke braktisur Mua dhe ke kërkuar një tjetër të dashur?
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 19.
O BIR I NJERIUT!
Mos pëshpërit për mëkatet e të tjerëve sakohë ti je vetë mëkatar. Po e shkele këtë porosi, do të jesh i mallkuar dhe Unë dëshmoj për këtë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 27.
O BIR I QENIES!
Gjyko vetveten çdo ditë para se të thirresh për të dhënë llogari; sepse vdekja do të vijë tek ti pa paralajmërim dhe ti do të thirresh të japësh llogari për bëmat e tua.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 31.
O BIR I QENIES MË TË LARTË!
Unë e kam bërë vdekjen lajmëtare gëzimi për ty. Përse, pra, brengosesh? Unë bëra që drita të derdhë mbi ty shkëlqimin e saj. Përse i fshihesh asaj?
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 32.
O BIR I NJERIUT!
Edhe sikur të nxitoje përmes pafundësinë së hapësirës dhe të përshkoje gjerësinë e qiejve, ti përsëri nuk do të gjeje prehje veçse në nënshtrimin ndaj urdhërit Tonë dhe në përunjësinë para Fytyrës Sonë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 40.
O BIR I NJERIUT!
Për çdo gjë ka një shenjë. Shenja e dashurisë është qëndrueshmëria nën urdhërin Tim dhe durimi nën sprovat e Mia.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 48.
O BIR I NJERIUT!
Fatkeqësitë që shkaktoj Unë janë përkujdesja Ime, në dukje janë zjarr e shpagim, por në të vërtetë janë dritë e mëshirë. Nxito drejt tyre, që të bëhesh dritë e përjetshme dhe shpirt i pavdekshëm. Ky është urdhëri Im për ty, zbatoje atë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 51.
O BIR I QENIES!
Mos u merr me gjërat e kësaj bote, sepse arin Ne e provojmë me zjarr, dhe me ar Ne vëmë në provë shërbëtorët Tanë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 55.
O BIR I BUKURISË!
Për shpirtin Tim dhe për mirësinë Time! Për mëshirën Time dhe për bukurinë Time! Gjithçka që të kam reveluar ty me gjuhën e pushtetit, dhe që kam shkruar për ty me pendën e fuqisë, ka qenë në përputhje me aftësinë e me të kuptuarit tënd, dhe jo me gjendjen Time e as me melodinë e zërit Tim.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 67.
O BIJ TË NJERËZVE!
Nuk e dini pse ju kemi krijuar të gjithë nga i njëjti pluhur? Që askush të mos e lëvdojë veten mbi tjetrin. Peshojeni gjithnjë në zemrat tuaja sesi jeni krijuar. Derisa Ne ju kemi krijuar të gjithë nga i njëjti brumë, ju takon të jeni të barabartë si një shpirt i vetëm, të ecni me të njëjtin hap, të hani me të njëjtën gojë dhe të banoni në të njëjtin vend, në mënyrë që nga qenia juaj më e thellë, me bëmat e veprat
tuaja, të dalin në pah shenjat e njëshmërisë dhe thelbi i shkëputjes. Kjo është këshilla Ime për ju, o tubim drite! I vini veshin kësaj këshille, që të fitoni frytin e shenjtërisë nga pema e lavdisë së mahnitshme.
-Fjalët e Fshehura, Nga Arabishtja, 68.
O BIR I SHPIRTIT!
Zogu kërkon folenë e vet; bilbili bukurinë e trëndafilit; ndërsa ata zogj, zemrat e njerëzve, të kënaqur me pluhurin kalimtar, janë larguar shumë nga foleja e tyre e përjetshme dhe, me sytë të kthyer drejt kënetës së shkujdesjes, janë privuar nga lavdia e pranisë hyjnore. Medet! Sa
çudi e për të ardhur keq; thjesht për një kupë ujë, ata janë larguar prej deteve të dallgëzuara të Më të Lartit dhe kanë mbetur larg horizontit më të ndritshëm.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 2.
O MIK!
Në kopshtin e zemrës sate mos mbill asgjë veç trëndafilit të dashurisë, dhe mos e lësho bilbilin e simpatisë e të dëshirës. Ruaje si thesar shoqërinë e të drejtëve dhe shmangiu çdo shoqërimi me të pafetë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 3.
O BIR I DASHURISË!
Vetëm një hap të ndan prej lartësive të lavdishme atje sipër dhe prej pemës qiellore të dashurisë. Hidhe një hap dhe me tjetrin shko përpara drejt mbretërisë së pavdekshme dhe hyr në shatoren e përjetësisë. Vëri, pra, veshin asaj që të është reveluar nga penda e lavdisë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 7.
O NJERI ME DY PAMJE!
Mbylle njërin sy dhe hap tjetrin. Mbylle njërin për botën e të gjitha gjërat që janë në të, dhe hape tjetrin për bukurinë e shenjtëruar të të Shumëdashurit.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 12.
O MIQ!
Mos e braktisni bukurinë e përjetshme për një bukuri që duhet të vdesë, dhe mos ia kushtoni dashurinë tuaj kësaj bote të vdekshme prej pluhuri.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 14.
O JU BANORË TË PARAJSËS MË TË LARTË!
Shpalluni bijve të sigurisë se brenda mbretë-rive të shenjtërisë, pranë parajsës qiellore, është shfaqur një kopsht i ri, rreth të cilit mblidhen banorët e mbretërisë së epërme dhe banuesit e pavdekshëm të parajsës së lartësuar. Përpiquni, pra, ta arrini atë cak, të zbuloni misteret e dashurisë prej luletaçeve të tij dhe të mësoni sekretin e urtisë hyjnore e të përsosur prej fryteve të saj të përjetshme. Të
ngushëlluar janë sytë e atyre që hyjnë dhe qëndrojnë atje!
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 18.
O MIQTË E MI!
Mos e keni harruar atë agim të vërtetë e të ndriçuar, kur në ato rrethina të shenjta e të bekuara ju ishit mbledhur të gjithë në praninë Time nën hijen e pemës së jetës, e cila është mbjellë në parajsën lavdiplotë? Ju më dëgjonit me përgjërim, ndërsa Unë shqiptoja këto tri fjalë shumë të shenjta: O miq! Mos parapëlqeni vullnetin tuaj para Timit, mos dëshironi kurrë atë që Unë nuk e kam dëshiruar për ju, dhe mos m’u afroni Mua me zemra pa jetë, të ndotura nga dëshira e ambicje tokësore. Sikur të spastronit shpirtrat tuaj, ju do t’i kujtonit tani atë vend e ato rrethina dhe e vërteta e fjalës Sime do të bëhej e qartë për të gjithë ju.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 19.
O JU TË MARRË QË JU DINË PËR TË URTË!
Përse vishni rroba barinjsh, kur përbrenda jeni bërë ujqër, që i keni vënë synë grigjës Sime? Ju jeni si ylli që del para agimit dhe që, megjithëse duket i ndritshëm e vezullues, i çon udhëtarët e qytetit Tim në rrugë të gabuar drejt shtigjeve të humbjes.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 24.
O BIR I PLUHURIT!
Të gjitha gjërat që janë në qiell e mbi tokë Unë i kam caktuar për ty, veç zemrës njerëzore, të cilën e kam bërë banesën e bukurisë e të lavdisë Sime; megjithatë, ti ia ke dhënë shtëpinë e banesën Time dikuj tjetri e jo Mua; dhe sa herë që manifestimi i shenjtërisë Sime ka kërkuar banesën e vet, ka gjetur aty një të huaj dhe, i mbetur pa shtëpi, ka nxituar për në altarin e të Shumëdashurit. Megjithatë, Unë e kam fshehur sekretin tënd dhe nuk kam dëshiruar turpin tënd.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 27.
O BIR I BUJARISË!
Prej shkretëtirave të hiçit, me argjilën e urdhrit Tim bëra që ti të vish në botë dhe kam urdhëruar për të të ushtruar çdo atom që ekziston dhe thelbin e të gjitha gjërave të krijuara. Kështu, para se të dilje nga barku i nënës, caktova për ty dy burime qumështi të ndritshëm, sy për të të ruajtur dhe zemra për të të dashur ty. Me dashamirësinë Time, nën hijen e mëshirës Sime Unë të rrita dhe të ruajta me thelbin e hirit e të mirësisë Sime. Dhe qëllimi Im në të gjitha këto ishte që ti të arrije mbretërinë Time të përjetshme dhe të bëhesh i denjë për dhuratat e mia të padukshme. Por ti mbete i shkujdesur dhe, kur u rrite plotësisht, i mospërfille të gjitha bujaritë e Mia dhe u more me fantazitë e tua të kota, kështu që u bëre fare kujtesëshkurtër dhe, duke u larguar nga portat e Mikut, qëndrove brenda oborreve të armikut Tim.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 29.
O MIK I PANJOHUR!
Qiriu i zemrës sate është ndezur nga dora e fu-qisë Sime, mos e shuaj atë me erërat e kundërta të egoizmit e të pasionit. Shëruesi i të gjitha sëmundjeve të tua është kujtimi për Mua, mos e harro këtë. Bëje dashurinë Time thesarin tënd dhe kujdesu për të si për syrin e për jetën tënde.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 32.
O BANORË TË PARAJSËS SIME!
Me duart e dashamirësisë kam mbjellë në kop-shtin e shenjtë të parajsës fidanin e dashurisë e të miqësisë suaj dhe e kam ujitur atë me shirat e mbarë të mirësisë Sime të ëmbël. Tani që koha e frytëzimit të saj ka ardhur, përpiquni që ajo të jetë e mbrojtur e të mos digjet nga flaka e dëshirës dhe e pasionit.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 34.
O SHËRBËTORI IM!
Çliroje veten nga prangat e kësaj bote dhe liroje shpirtin tënd nga burgu i egoizmit. Mos lër të të shpëtojë rasti, sepse ai nuk do të të vijë më kurrë.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 40.
O SHOK I FRONIT TIM!
Mos dëgjo e mos shih asnjë të keqe, mos e poshtëro veten, as mos psherëti e vajto. Mos fol keq, që të mos dëgjosh të flasin keq për ty, dhe mos i zmadho të metat e të tjerëve, që të mos duken të mëdha të metat e tua; mos dëshiro poshtërimin e askujt, që të mos dalë në shesh poshtërimi yt. Jetoji, pra, ditët e jetës sate, që janë më të shkurtëra sesa një çast kalimtar, me mendje të pastër, me zemër të panjollë, me mendime të kulluara dhe me karakter të shenjtëruar, në mënyrë që, i lirë e i kënaqur, të flakësh tutje këtë trup të vdekshëm dhe të shkosh në parajsën mistike e të jetosh përgjithmonë në mbretërinë e përjetshme.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 44.
O BIJ TË PLUHURIT!
U tregoni të pasurve për psherëtimat e të var-fërve në mesnatë, që shkujdesja të mos i çojë ata në rrugën e rrënimit e të mos i privojë nga Pema e Pasurisë. Të japësh e të jesh bujar janë tipare të Miat; lum ai që stoliset me virtytet e Mia.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 49.
O JU POPUJ TË BOTËS!
Dijeni, me të vërtetë, se një fatkeqësi e papara-shikuar po ju ndjek dhe një haraç i rëndë ju pret. Mos mendoni se bëmat që keni kryer i janë fshehur vështrimit Tim. Për bukurinë Time! Të gjitha veprimet tuaja penda Ime i ka gdhendur me germa të dukshme në pllaka krizoliti.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 63.
O BIJ TË ADAMIT!
Fjalët e shenjta dhe veprat e kulluara e të mëdha ngjiten në qiellin e lavdisë hyjnore. Përpiquni që veprat tuaja të spastrohen nga pluhuri i egos e hipokrizia dhe të gjejnë përkrahje në oborrin e lavdisë; sepse së shpejti provuesit e njerëzimit, në praninë e shenjtë të të Adhuruarit, nuk do të pranojnë asgjë veç virtytit absolut dhe veprave të një dëlirësie të panjollosur. Ky është ylli i ditës i urtisë dhe i misterit hyjnor që ka ndriçuar mbi horizontin e vullnetit hyjnor. Të bekuar janë ata që kthehen ndaj tij.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 69.
O SHËRBËTORI IM!
Ti je si një shpatë e kalitur mirë, e fshehur në errësirën e millit të saj dhe vlera e së cilës është e panjohur për zejtarin. Prandaj dil nga milli i vetvetes dhe dëshiro që vlera jote të bëhet e shkëlqyeshme dhe e dukshme për mbarë botën.
-Fjalët e Fshehura, Nga Persishtja, 72.
O SHËRBËTORI IM!
Ju jeni pemët e kopshtit Tim; ju duhet të jepni fryte të bukura e të mahnitshme, që vetë ju dhe të tjerët të përfitoni prej tyre. Pra, është detyrë e secilit të merret me një zeje ose profesion, sepse në këtë qëndron sekreti i pasurisë, o njerëz që kuptoni! Sepse rezultatet varen nga mjetet, dhe hiri i Perëndisë do të jetë i gjithëmjaftueshëm për ju. Pemët që nuk japin fryte gjithmonë kanë qenë e do të jenë për zjarr.